Arrestim në Elbasan, kapet trafikuesi i minave me telekomandë

Në pranga ka rënë Petraq Kote, 28 vjeç nga Tirana.

Lajme

20/10/2018 11:40

“Forca e Ligjit” ka goditur sërish, këtë herë në Elbasan, ku në përfundim të operacionit të koduar “Mengël” është arrestuar në flagrancë poseduesi i 4 minave me telekomandë, që po tentonte t’i trafikonte.

Në pranga ka rënë Petraq Kote, 28 vjeç nga Tirana, pas një kontrolli të ushtruar nga shërbimet policore në ambientet e një lokali në fshatin Mengël të Njësisë Administrative Labinot Fushë.

Atij iu gjetën 4 copë mina me shpërthim në distancë, të pajisura me aparat telefoni celular me bateri, fije përcjellëse dhe magnet, raporton “Tch”.

Ndërkohë që policia vijon operacionin për identifikimin e blerësve, materialet në ngarkim të shtetasit Kote i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Elbasanit, për veprën penale “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.