Arrest shtëpiak të dyshuarit për terrorizëm

B.Q. i dyshuar se përmes rrjetit social “Facebook” thërret dhe nxit bashkimin në organizime grupore terroriste jashtë vendit, Gjykata Themelore e Mitrovicës i ka caktuar një muaj arrest shtëpiak.

Lajme

27/12/2017 19:39

Në dokumentin e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com thuhet se “B.Q. ka kryer veprën penale Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policin e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore në organizimet grupore apo individuale jashtë territorit të Kosovës”.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara ku figuron shkrimi: “Qofshin të poshtëruar kushdo që ngrit sorra mbi shtëpitë e tyre”. Dhe nga goma e veturës që shihet në foto me shkrimin: “Nisu drejtë tyre pa mëshirë”, përmbushet elementi esencial se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e paraburgimit kundër të pandehurit B.Q. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur.

Për të pandehurin nga Mitrovica, Gjykata Themelore e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Derisa prokurori nga Prokuroria Speciale Ali Rexha qëndroi në tërësi pranë kërkesës se ushtruar, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Nysret Islami e kundërshtoi një kërkesë të tillë.

“Kjo kërkesë është bazuar në prova shumë të ngushta dhe të njëanshme duke mos i marrur parasysh edhe rrethanat lehtësuese ndaj të pandehurit i cili ka kryer vetëm dy klasë të shkollës fillore, që kushtimisht po thuajse është e pamundshme të ketë kuptuar mesazhin e postimit të një fotografie në facebook, të cilën llogari nuk di ta hap as ai vet “, shtoi avokati.

Edhe i pandehuri e mbështeti fjalën e mbrojtësi të tij duke shtuar se ai punonte punët rreth shtëpisë dhe se ditën kur Policia kishte shkuar tek shtëpia e tij ai nuk kishte ditë asgjë.

Në pyetjen e gjykatës se në thënien e fotografisë ku figuronte fjalia “Nisu drejtë tyre pa mëshirë”, i pandehuri deklaroi se në të vërtet nuk e dinte as qka është ajo fotografi dhe as se si e kishte hapur.

Gjyqtari i procedurës paraprake Ali Kutllovci për sqarimin e rrethanave kërkoi nga prokurori përgjigje për disa pyetje, mirëpo meqenëse prokurori ishte në zëvendësim të prokurorit i cili kishte parashtruar kërkesën, deklaroi se nuk mund të ndërhynte më shumë në këtë rast, dhe se nuk mund të jepte përgjigje të tjera, sepse kështu e kishte sugjeruar kolegu i tij.

Duke u bazuar në këtë situatë të prokurorit si dhe në besueshmërinë provave Gjykata erdhi në përfundim se nuk munde të caktohet masa e paraburgimit në rastin konkret, edhe përkundër pretendimeve të prokurorit se kemi të bëjmë me një vepër shumë të rënde.

Pas kësaj gjykata vendosi që si masë proporcionale me atë të paraburgimit, për të pandehurin të vendoset masa e arrestit shtëpiak nën kërcënimin se nëse nuk e respekton të njëjtit do t`i caktohet masa e paraburgimit.