Arrest shtëpiak për Kurteshin e Pantinën, paraqitje në Polici për Muharremajn

Për shkak të veprimeve të tyre brenda Kuvendit të Kosovës në seancën e fundit për zgjedhjen e presidentit, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që për dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina dhe Ismajl Kurteshi t’ua caktojë masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh, ndërsa deputetit të AAK-së, Bali Muharremaj, masën e paraqitjes në Polici, po ashtu, në kohëzgjatje prej një muaji.

Lajme

27/02/2016 20:12

Që të tre deputetët, sipas Gjykatës, dyshohet se kanë kryer veprën penale “Përdormi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe “Sulmi i personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Gjykatës Themelore:

“Departamenti për Krimeve të Rënda, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore – Departamenti për krime të rënda, për caktimin e masës Arrest shtëpiak kundër të pandehurit Ismajl Kurteshi dhe caktimin e masës Paraqitje në stacion policor kundër të pandehurit Bali Muharremaj, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit, secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK, dhe veprën penale Pengimi i personit zyr tar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1 të KPK, ndërsa kundër te pandehurës Shqipe Pantina për caktimin masës Arrest shtëpiak, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK, dhe veprën penale Sulmi i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 të KPK, pas mbajtjes së seancës së dëgjimit, në të cilën kanë marrë pjesë prokurori i shtetit dhe të pandehurit me mbrojtësit e tyre, të njëjtën ditë me datë 27.02.2016 mori këtë:

Kundër të pandehurit Ismajl Kurteshi shqiptohet masa e arrestit shtëpiak e cila do te llogaritet që nga data e ndalimit të tij, gjegjësisht prej datës 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016, në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër të pandehurit Bali Muharremaj shqiptohet masa e paraqitjes në stacionin policor e cila do të llogaritet n ë kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar që nga data 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016.

Kundër të pandehurës Shqipe Pantina shqiptohet masa e arrestit shtëpiak e cila llogaritet që nga data e arrestimit të saj, gjegjësisht prej datës 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016, në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK, veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1 të KPK , veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK, dhe veprën penale Sulmi i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 të KPK.