Arrest shtëpiak për deputetin Frroku

Gjykata e Lartë ka dhënë masën e sigurisë 'arrest shtëpie' për deputetin Mark Frroku. Pas daljes nga Gjykata, pa pranga në duar, deputeti Frroku tha vetëm fjalët: "Drejtësia vendosi".

Lajme

28/03/2015 16:15

Aktualisht Frroku është shoqëruar për në Drejtorinë e Policisë për të kryer procedurat e parashikuara për rastin.

Pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku u dha edhe masa e sigurisë për Frrokun, njeri prej avokatëve mbrojtës të tij, Genc Gjokutaj u shpreh se, pala mbrojtëse nuk është dakord me vendimin.

“Prokuroria ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme duke ushtruar presion ndaj gjykatës. Prokuroria i qëndroi qëndrimit të saj. Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim, pasi absolutisht nuk ka asnjë provë. Të gjitha provat janë në favor të klientit tonë”, deklaroi Gjokutaj.

Për shkak të sekretit hetimor seanca në Gjykatën e Lartë, për vlerësimin e masës së sigurisë për dy deputetët u mbajt me dyer të mbyllura. Në sallën e gjyqit ka masa të shumta sigurie. /TCH/