Arrest me burg për Sokol Mjacajn që vrau turistët çekë (Video)

Nën masa tepër të forta sigurie, me antiplumb e maskë në kokë dhe i braktisur nga familjarët, është paraqitur për të marrë masën e sigurisë para Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Sokol Mjacaj, autori i vrasjes së dy turistëve çek, pesë ditë më parë në Dukagjin të Shkodrës.

Lajme

08/07/2015 14:21

Pas një seancë që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, gjykata i ka dhënë Sokol Mjacajt masën e sigurisë arrest me burg. I gjithë procesi gjyqësor është zhvilluar nën prezencën e forcave të shumta të policisë dhe atyre të Ndërhyrjes së shpejtë.

Seanca gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura, por mësohet se Sokol Mjacaj ka pranuar krimin duke i qëndruar atyre çfarë ka thënë në polici . Prokurorja e çështjes Shqiponja Milla pas provave të paraqitura i ka kërkuar gjyqtares së kësaj çështje masën e sigurisë arrest me burg, nën akuzën “vjedhje me pasojë vdekjen” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.

Sokol Mjacaj, i braktisur nga familjarët nuk kishte as avokat mbrojtës dhe për këtë është mbrojtur nga një avokat i caktuar nga gjykata. Mjacaj ka reaguar me qetësi gjatë gjithë seancës, duke mos shfaqur asnjë shenjë pendese. Në përfundim, gjyqtarja Luvete Dardha ka vendosur masën arrest me burg ndaj të dyshuarit Sokol Mjacaj.

Pesë ditë më parë Sokol Mjacaj gjatë një tentative grabitje vrau dy turistë çekë Michal Svatos dhe Anna Kusinova që udhëtonin me makinën e tyre në fshatin Prekal, të Dukagjinit ngjarje kjo që tronditi thellë opinionin në gjithë vendin e jo vetëm./TopChanel

YouTube player