Armando Duka: Nuk kam qarë kur vdiq Enveri, kjo vlen dhe për Tramexanin

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë mbrëmjen e sotme një intervistë për emisionin “Fair Play” në televizionin “News 24”.

Sport

25/12/2016 23:34

Ai ka analizuar arritjet e vitit 2016 si dhe ka folur për largimin e zv. trajnerit dhe drejtorit teknik të kombëtares shqiptare, Paolo Tramexani. “Nuk besoj se ka ndonjë mozaik të plotësuar në botën reale, ndaj as për vitin 2016 nuk mund të them që është i kompletuar plotësisht. Gjithsesi, ka vendosur një kuadrat apo gur të rëndësishëm: kualifikimin në ‘Euro 2016’. Ka shumë gjëra që duhen bërë sepse zhvillimi nuk ka fund. Futbolli shqiptar ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe rezultate pozitive, por gjithsesi ka vend për zhvillim”.

Largimi i Tramexanit – “Ndoshta edhe për vetë Tramexanin ishte disi e papritur. Kur e mori ofertën, na njoftoi duke na thënë ‘kam dëshirë që të nis një karrierë të re dhe do ta provoj nëse ju më jepni këtë mundësi’. Me keqardhje, por nuk e penguam. Kjo, pasi ai ka qenë një person simpatik, i cili gëzonte respektin e të gjithëve dhe ka kontribuuar shumë. Ka qenë një asistent i rëndësishëm dhe një urë lidhëse e trajnerit me futbollistët. Me gjithë cenimin e interesave tona, nuk e gjykuam të drejtë që t’i pengojmë karrierën”.

Kushti për jetesën në Shqipëri – “Nuk ka lidhje. I kemi kërkuar që të qëndrojë në Shqipëri për të bërë detyrën e drejtorit teknik dhe, nëse nuk do të pranonte që ta bënte këtë, do të qëndronte asistent pa asnjë lloj cenimi. Detyra e drejtorit teknik nuk mund të bëhet me korrespondencë”.

Paga e fundit – “Ndarja është bërë sipas kërkesës së Tramexanit. Çdo gjë është normale, ndërsa të tjerat janë hamendësime njerëzish që kanë qejf të thonë barsoleta”.

E ardhmja pa Tramexanin – “Kontributet e tij në këtë skuadër ishin të rëndësishme, por nuk jam nga ata që mendojnë se një individ mund të bëjë gjë i vetëm. Gjithashtu nuk jam nga ata që ka qarë shumë kur ka vdekur Enveri, pasi kam menduar se gjërat do të bëheshin më mirë. Besoj tek institucioni. Kemi një të tillë që është ekipi kombëtar, që do të vazhdojë të bëjë mirë pa De Biazin, pa Dukën, pa ndonjë lojtar që mund të ikë. Edhe pa Tramexanin. Patjetër që për të bërë rezultate, ka momente që ka talente të mirë, por institucioni do vazhdojë të bëjë në vazhdimësi.

Deklarata e Baldo Rainerit për Veselin, Tramexanin dhe Luganon – “Nuk mund të komentoj për zgjedhjet e futbollistëve. Diferencat janë të vogla dhe këdo që mund të hedhësh në fushë, do të konsiderohet zgjedhje subjektive. Kam bindjen dhe është 100% e vërtetë që trajneri që kemi, nuk bën kompromise për profesionin. Jo për presidentin e Luganos, por as për familjen e tij”.

Vendi vakant – “Ervin Bulku është asistent i ekipit kombëtar. Trajneri kërkon të marrë një asistent tjetër, pasi është e drejtë ekskluzive e tij për t’i zgjedhur. Me shumë mundësi mund të jetë italian”.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.