Arkitekti, modeli i xhamisë u zgjodh para konkursit

Një arkitekt i cili kishte bërë projekt për xhaminë qendrore në Prishtinë, ka thënë në emisionin Ju Flet Prishtina në Klan Kosova se konkursi që ishte organizuar për këtë gjë, ishte krejtësisht formal.

Lajme

22/07/2017 19:39

Sipas Arbër Sadiki, shefi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, kishte vendosur kush fiton kohë më parë.

Për më tepër, sipas tij, lajmi për këtë fillimisht ishte bërë i ditur në Turqi.

“Konkursi është shpallur në vitin 2012 në dhjetor, ndërsa Myftiu Naim Tërnava kishte dhënë një intervistë një muaj më herët në një media turke Anadolu Agency, ku e përshkruante në detaje se si do të duket projekti me katër minaret dhe detaje të tjera që janë identike me modelin që më pas është përzgjedhur”, ka thënë Sadiki, njofton Klan Kosova.

“Shtrohet pyetja përse të mbahet konkursi arkitektonik, kur qenka vendosur më herët projekti”.

Ndërsa, Fahrush Rexhepi, dekan i Fakultetit te Studimeve Islame, në mbrojtje të Tërnavës ka theksuar se “deklarata e myftiut është bërë pas deklarimeve të komisionit profesional”.

“Natyrisht që parapëlqimi në aspektin privat, personal, është bërë paraprakisht, ende pa u vendosur”.

Arkitekti ka pasur edhe pakënaqësi të tjera sa i përket modelit të xhamisë, për të cilën ka thënë se i takon stilit të shekullit XVI, ndërsa në projekt është kërkuar një projekt bashkëkohor.

“Stili, kupolat, stili i minares janë pothuajse identike me shumicën e xhamive në Turqi. Jam kategorish kundër këtij modeli. Aty janë së paku 30 projekte që me sytë mbyllur t’i zgjedhësh i plotësojnë kushtet”.