Arkëtari i Ujësjellësit u detyrua t’i “vjedh” 25 mijë euro për të shpëtuar gruan e tij të sëmurë

Arkëtari i akuzuar i Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” tregoi në gjykatë pse mori 25 mijë euro nga ndërmarrja.

Lajme

23/08/2017 14:25

Një sëmundje serioze e gruas së tij dhe pamundësia që të gjejë ndihmë  në formë tjetër nuk i lanë rrugë tjetër Haki Islami përpos se të shkelë ligjin për t’i ardhur në ndihmë gruas së tij.

Arkëtari tani i larguar nga puna i Ujësjellësit Rajonal Prishtina shprehu pendimin e tij dhe pranoi se ka marrë rreth 25 mijë euro në vendin e tij të punës por tha se këtë nuk e bëri për luks, por vetëm për nga pamundësia për t’i ndihmuar gruas së tij të sëmurë.

“Për sa vjet kam punuar aty kam qenë punëtori më i mirë , nuk kam bërë mungesa kam qenë shumë i rregullt dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme me ligjin, por për shkak të sëmundjes së gruas time u detyrova t’i marr paratë dhe këtë nuk e mohoj dhe nuk i ik veprës”, tha Islami duke pranuar fajësinë në gjykimin e tij.

Islami megjithatë tha se ka kërkuar ndihmë në shumë institucione madje edhe në kompaninë e tij ka ofruar që të punojë pa para për të larë shumën që i duhej për mjekim të gruas së tij, porse nuk i është ofruar zgjidhje.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngarkon Islamin se në cilësinë e arkëtarit të Ujësjellësit “Prishtina” prej datës 1 gusht 2016 deri më 5 maj 2016 ka përvetësuar shumën që i është besuar për shkak të detyrës së tij, në vlerën prej 25 mijë e 691 eurove të inkasuara nga konsumatorët.

Prej shumës totale të cilën prokuroria pretendon se Islami e ka inkasuar, 9,463 euro i ka dorëzuar në kompani, ndërsa pjesën tjetër jo.

Gjyqtari Shasivar Hoti caktoi ditën e nesërme për shpallje të aktgjykimit, ndërsa i akuzuari Islami kërkoi nga gjykata që të ketë mirëkuptim dhe të vlerësojë situatën e rëndë të tij. /Kallxo.com/