Arifi: Ambasadat amerikane e gjermane në Beograd kundër ndryshimit të kufijve

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë për kallxo.com, ka rrëfyer për idenë e bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovë, kush ka qenë nismëtar i kësaj ideje, për përfaqësimin e Luginës në ekipin negociator në dialogun me Serbinë në Bruksel.

Lajme

11/09/2018 07:54

Arifi ka folur edhe për mendimin e ambasadave të huaja në Beograd në lidhje me bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovë, qëndrimin e prerë të kancelares gjermane, Angela Merkel apo edhe mendimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, në lidhje me këtë çështje.

Kryetari i Komunës së Preshevës është shprehur edhe në lidhje me atë se a mendon që do ta marrin hapin deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta shkelin Kushtetutën e Kosovës për ta votuar draft-rezolutën e propozuar nga liderët e Luginës së Preshevës duke u bazuar në referendumin e mbajtur në vitin 1992.

Kallxo.com: Z.Arifi, çka u diskutu sot me presidentin Hashim Thaçi?

Shqiprim Arifi: Ne patëm edhe një herë sot një takim me presidentin Thaçi në kuadër të nismës të cilën e kemi pasur para disa javësh në drejtim të dialogut, faza finale e dialogut, e cila tani vetëm po merr formë. Ne kemi kërkuar këtë takim edhe një herë para se me pasë takimin e gjerë në Bruksel edhe një herë t’ia bëjmë të qartë edhe më konkretisht kërkesat tona të cilat duhet të realizohen. Sipas nesh, ne mendojmë se nuk mjafton vetëm ajo që të negociohet për neve apo mbi neve, por ne mendojmë që duhet të jemi edhe pjesë e negociatave. Në mënyrë të unifikuar e shtruam këtë kërkesë që të jemi pjesë e ekipit negociator në Bruksel.

Kallxo.com: A mundeni të na sqaroni me cilin delegacion doni të jeni pjesë, me delegacionin e Kosovës apo me pjesën e delegacionit të Serbisë në këto negociata?

Shqiprim Arifi: Po normalisht që ne kemi dëshirë me qenë pjesë e delegacionit të Kosovës por aty vendos mediatori, BE-ja vendos, por ma merr mendja, me siguri, ka ato rregullat e veta, por ne e kemi këtë dëshirë.

Kallxo.com: Prej kah ka ardhur ideja që ju me qenë tash pjesë e negociatave me Serbinë?

Shqiprim Arifi: Në qoftë se më keni përcjellë, unë qe një vjet e diçka jam duke kërkuar non-stop dhe publikisht, kam kërkuar që të jemi pjesë e ekipit negociator. Domethënë jo vetëm temë, siç është cekur më herët, që të jemi temë në tavolinën e Brukselit por edhe të jemi pjesëmarrës në këtë pjesë.

Kallxo.com: E pse bash ky moment është zgjedhur, momenti final, me u përfshi edhe Lugina e Preshevës në këto debate. Deri tash nuk kanë dashur as me e dëgju kërkesën e juaj, është thënë që është dialog teknik, që nuk ka me u folë për territore?

Shqiprim Arifi: Atë nuk e di, ajo është jashtë informacioneve të mia, apo edhe jashtë kompetencave të mia. Pse? Qysh? Unë e kam kritikuar këtë, unë kam thënë edhe më herët që është gabim që nuk tematizohet Lugina e Preshevës edhe duhet të tematizohet Lugina e Preshevës por nuk ka ndodhur. Për mua, me thënë të drejtën nuk është shumë me rëndësi, kjo çështje për mua se pse është bërë tani, për mua është me rëndësi që është bërë tani temë dhe kjo është në të mirën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kallxo.com: A pritni me u dhanë veriu për Preshevën, a pritni me u dhanë pjesa veriore e Kosovës, Leposaviqi, Zveçani, në këmbim të Luginës së Preshevës?

Shqiprim Arifi: Jo, jo, pikërisht jo, ne kemi thënë që shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duan ta dëmtojnë Republikën e Kosovës, edhe në qoftë se kjo nënkupton që ne duhet të mbesim nën administratën serbe. Domethënë ne jemi shumë të qartë në qëndrimet tona, ne jemi kundër shkëmbimit të territoreve, ne jemi kundër ndryshimit të kufijve të cilët nënkuptojnë që parcializohet Lugina e Preshevës, që nënkupton Medvegja, Bujanoci të mbeten në Serbi, e vetëm Presheva me ardhë me Kosovë. Ose shkojmë në tërësi me Republikën e Kosovës ose mbesim në tërësi në Serbi.

Kallxo.com: A mundeni me na shpjegu se qysh e mendoni Medvegjën me u bashku me  Kosovën kur dihet që një pjesë e madhe e popullatës aty është edhe serbe?

Shqiprim Arifi: Shikoni, nuk është problem që edhe serbët të bëhen pjesë e Kosovës.

Kallxo.com: Qysh e mendoni një popullsi të përzier në Medvegjë, ku janë 40 me 60, është disproporcion, me u bashku me Kosovë?

Shqiprim Arifi: Nuk është problematikë kjo, për arsye se nuk bëhet fjalë për sa popullatë ne kemi aty serbë apo shqiptarë, bëhet fjalë për referendumin e vitit 1992.

YouTube player