Argjentina e Messit

Lionel Messi thotë se gjithmonë ka dashur të luajë për Argjentinën dhe e pranon se e lënduan ata që e akuzuan se nuk e jep maksimumin për Albiceleste. Ylli i Barcelonës thotë se do t’i ndërronte krejt rekordet dhe trofetë personalë, vetëm për t’i bërë të lumtur njerëzit e vendit të tij.

Sport

03/06/2014 11:58

Lionel Messi e pranon se ka mbetur i ‘lënduar’ nga kritikat e së kaluarës rreth paraqitjeve të tij me Argjentinën.

Ylli i Barcelonës ka zhvilluar 83 ndeshje me Albiceleste dhe mori pjesë në Botërorin 2006 dhe atë 2010, mirëpo është akuzuar në të kaluarën se nuk e shfaqi entuziazmin e duhur për vendin e tij, siç bën me gjigantin katalunas.

Sidoqoftë, Messi insiston se do t’i ndërronte të gjitha rekordet personale, për ta nderuar Argjentinën dhe e pranon se kritikat e bashkëkombësve kanë ndikuar keq tek ai.

“I kam lexuar të gjitha komentet, të cilët thoshin se unë nuk kam shfaqur dëshirë për të luajtur për ekipin kombëtar, se nuk e kam kënduar himbin, se nuk e kam ndier atë fanellë”, deklaroi fillimisht “Pleshti” për të përditshmen spanjolle Marca.

“Kjo më lëndonte, sepse vinte nga njerëzit e vendit tim dhe shumë sulme jo korrekte kanë arritur në adresën time”, vazhdoi ai.

“Argjentina është vendi im, familja ime, rruga për ta promovuar veten. Do t’i ndërroja të gjitha rekordet e mia, vetëm për t’i bërë të lumtur njerëzit e vendit tim”, vazhdoi ai.

Messi zbulon se nuk është pishman që e ka zgjedhur vendin e tij, edhe pse Spanja i kishte propozuar të luante për këtë vend në ekipin U-20, kur e kishte nisur karrierën seniore me Barcelonën.

“Kishte kontakte joformale, për ta parë nëse do të doja të luaj për Spanjën, por unë gjithmonë kam thënë se dua të luaj për ekipin tim, sepse e dua Argjentinën dhe i ndiej vetëm ato ngjyra”.

“Do të jem gjithmonë aty ku klubi ka nevojë për mua. Përkundër momenteve të këqija, jam mirënjohës për gjithçka që kam përjetuar me ekipin kombëtar”, përfundoi Messi.