Ardian Gjini: Kjo është Qeveri e mashtrimit

Mocioni i AAK’së për rrëzimin e Qeverisë Thaçi u është shpërndarë sot deputetëve opozitarë në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i AAK’së, Ardian Gjini thotë se sa më shpejt që kjo qeveri rrëzohet aq më mirë do të jetë për Kosovën.

Lajme

27/02/2014 10:26

Mocioni për mosbesim ndaj Qeverisë Thaçi, i nisur tash e sa ditë nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duket se është marrë seriozisht nga kjo parti.

Sot, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, u bëri thirrje deputetëve që ta nënshkruajnë mocionin.

“Të nderuar deputet të partive në opozitare, përpara e keni një letër, ajo letër është mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Kosovës, me një rubrikë për nënshkrim. Kjo do të thotë se mocioni është serioz, nuk ka të shkojë më seriozisht se kaq”.

Gjini kritikoi Qeverinë e Kosovës për gjendjen e krijuar, që sipas tij duhen dekada për të dalë nga gjendje e tillë e krijuar, për çka ai tha se AAK ka nisin edhe këtë iniciativë për rrëzimin e Qeverisë.

“Qeverisja e vendit, ka shkaktuar aq dëme të mëdha për vendin tonë, sa në disa aspekte do të duhen dekada për ta përmirësuar gjendjen”.

Gjini tha se korrupsioni i kësaj Qeverie, ka shkuar aq larg, sa që asnjë kompani serioze nuk investon në Kosovës.

“Jo vetëm se nuk vinë të investojnë kompanitë, por kompanitë serioze për shkak të korrupsionit kanë refuzuar edhe t’u shesin produkteve e tyre Qeverisë së Kosovës. Ky është skandal”.

“Papunësia është rritur. Është abuzuar me mirat e përbashkëta sa që tani më korrupsioni në institucionet e Kosovës është normë, nuk është përjashtim. Njerëzit janë lodhur dhe është thyer tehu i shoqërisë për të luftuar korrupsionin”.

“Është Qeveri e mashtrimit, gjithçka është kamuflazh, gjithçka është fasadë”.