Ardian Gjini, Isa Mustafës: Ik se na turpërove, Kosova nuk i ka borxh lëkurës sate

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka komentuar për emërimin e ministrit të ri të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevi, i emëruar nga kryeministri Isa Mustafa. Gjini ka thënë se kryeministri i Kosovës nuk po mund të emërojë ministra e as t’i shkarkojë ata pa lejen e Serbisë

Lajme

20/04/2017 16:54

“Ik o Kryeministër se na turpërove. Kosova nuk i ka borxh lëkurës sate”, ka shkruar Gjini, derisa ka thënë se sot u vërtetua që Kosova nuk ka kryeministër dhe as qeveri.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të ënjtën ka marrë vendim për emërimin e Ivan Todosijeviq, në detyrën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal.

Shkrimi i plotë:

Se Kosova nuk ka kryeministër e as qeveri u vërtetua edhe sot.

Kryeministri i Kosovës nuk po mund as të emërojë ministra e as t’i shkarkojë ata pa leje të Serbisë. Aq më tepër, Vuciq po ia shkarkon ministrat.

Turp më të madh nuk mund të përballojë Kosova. Kështu nuk ka qenë as në kohën e UNMIK.

Ik o Kryeministër se na turpërove. Kosova nuk i ka borxh lëkurës sate.