‘Arbitrazhi ndikon në sjelljen e investimeve të huaja’

Konferenca “Ditët e Arbitrazhit të Kosovës” e organizuar nga Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit të Odës Ekonomike të Kosovës ka mbledhur ekspert nga e gjithë bota për të shkëmbyer përvojat e gjithë vendeve me qëllim të promovimit të arbitrazhit si mekanizëm për zgjidhjen efektive të konteksteve kryesisht midis palëve private dhe investitorëve të huaj dhe shtetit si dhe promovimin e Tribunalit të përhershëm.

Lajme

22/02/2017 11:17

Aty u tha se zgjidhjet e kontesteve gjyqësore të bizneseve përmes arbitrazhit përmirësojnë imazhin e vendit dhe ndikon në tërheqjen e investimeve të huaja.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliu, theksoi se vet themelimi i arbitrazhit dhe i zgjidhjes së problemeve në mënyrë alternative është një proces që duhet të mbështetet, raporton Ekonomia Online.

“Një takim i tillë nuk duhet të vlerësohet dhe të analizohet vetëm nga dimensioni juridik, kjo ka një multidimenzionalitet. Kjo konferencë sa ka rëndësi juridike, sa rëndësi ekonomike ka politike dhe strategjike, por mbi të gjitha ka rëndësi integruese në përmirësim të imazhit të Kosovës. Një proces i tillë është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar klimën investive”, tha Gërxhaliu.

Lirak Çelaj zëvendësministër i Drejtësisë tha se mekanizmi privat i zgjedhjes së konteksteve i quajtur arbitrazh gëzon njohje në të gjitha rendet juridike të shteteve bashkëkohore dhe është i afirmuar në suaza botërore.

“Kjo konferencë përkon me një moment të rëndësishëm për Ministrinë e Drejtësisë, kur jemi në një fazë të rishikimit funksional të gjithë sistemit të drejtësisë, prandaj të gjitha ato pika që dalin nga kjo konferencë do të jenë shumë të mirëseardhura, sepse ky është momenti i duhur për ne. Synojmë të rrisim transparencën dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë, duke bërë analizën e sistemit në tërësi. Zgjedhja e konteksteve përmes arbitrazhit e mbështetur në pajtim paraprak të vullneteve të palëve është e njohur dhe ka një traditë të gjatë. Kjo mënyrë e zgjedhjes së konteksteve është rezultat i besimit që kanë treguar palët për të”, ka theksuar Çelaj.

Ndërsa eksperti i arbitrazhit nga Gjeneva, Michael Potesta, vlerësoi një konferencë të tillë, sepse sipas tij, fokusohet në zgjidhjen e kontesteve ndërmjet investitorëve të huaj dhe shtetit.

“Jetojmë në kohërat kur përfitimet e këtij mekanizmi më shumë vendosen në pikëpyetje dhe diskutohen nga perspektiva e legjitimitetit të sistemit. Do të përshkruaj karakteristikat e quajtura të traktatit shtet investitorë”, tha ai.

Tribunali i Arbitrazhit ka filluar të punojë tre vjet më parë, por në mungesë të njohurive lidhur me këtë mekanizëm është organizuar edhe konferenca ku personalitete nga e gjithë bota kanë qenë prezent për shkëmbim të përvojave në vendet e tyre.