Arbër Vllahiu emërohet shef i misionit diplomatik të Kosovës në Çeki

Arbër Vllahiu është emëruar i ngarkuar me punë në misionin e Kosovës në Çeki.

Lajme

13/04/2018 18:52

Lajmin e ka bërë të ditur këshilltarja e kryeministrit Ramush Haradinaj, Diellza Hoti, e cila i ka uruar atij postin e ri.

Vllahiu ka qenë ish këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga, ndërkohe para pak kohësh i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ka qenë edhe kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Pragë ka filluar punën nga  qershori i vitit 2010. Çekia ka njohur pavarësinë e Kosovës në maj të vitit 2008. Por, ky vendim i Qeverisë së Çekisë nuk njihet nga presidentët e deritashëm çekë, të cilët kanë refuzuar edhe t’i presin diplomatët kosovarë në zyrat e tyre për dorëzimin e kredencialeve. Kjo është edhe arsyeja që Kosova atje nuk përfaqësohet në rang ambasadori, por me të ngarkuar me punë.