Arbana Xharra ironizon me Driton Selmanajn, tregon që nuk është më këshilltare e Veselit

Ish-këshilltarja politike e Kadri Veselit, Arbana Xharra, ka reaguar pas akuzave të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, drejtuar asaj.

Lajme

05/06/2018 16:41

Ajo ka treguar që e ka të ndërprerë marrëdhënien e punës si pjesë e ekipit të Veselit, të cilit ka thënë se do t’i bashkohet sërish kur të kthehet në Kosovë.

Ky është reagimi i plotë i Xharrës:

Sqarim për opinionin, jo për Dritonin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Selmanaj, sot më paska lakuar emrin në Kuvendin e Kosovës, kinse unë paguhem që pesë muaj nga Buxheti i Kosovës, në cilësinë e këshilltares së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Si pikë e parë, kjo është një gënjeshtër.
Unë jam larguar nga Kosova në fund të muajit shkurt. Kam qenë atje deri pas kremtimit të 10 vjetorit të pavarësisë, duke dhënë kontributin tim si pjesë e Këshillit Organizativ.
Përkundër largimit të përkohshëm, unë edhe gjatë qëndrimit në SHBA kam vazhduar punën në distancë, deri në përmbylljen e disa projekteve që më ishin besuar të merresha me to.
Por, deri në kthimin tim, unë tashmë e kam të ndërprerë marrëdhënien time të punës si pjesë e ekipit të Kryeparlamentarit Veseli, të cilit do t’i bashkohem sërish kur të kthehem!
Më vjen mirë që ky trillim i deputetit Selmanaj më shërbeu si shkas për të sqaruar pozicionin tim publikisht, megjithatë me vjen keq për të që më shumë po vërehet mosprezenca ime në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit, se prezenca e tij në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti Selmanaj e ka monitoruar një kohë të gjatë Kuvendin e Kosovës, si pjesë e LDK-së në prapaskenë, prandaj po dua të besoj se gjatë kësaj kohe i ka mësuar të paktën disa procedura që lehtësisht mund të çojnë deri te e vërteta.
Përndryshe, e inkurajoj jo vetëm deputetin Selmanaj, por edhe kolegët e tij, që të vazhdojnë të merren me mua.