Arakani, dikur “Ishulli i Mëshirës”, tani kërkues i mëshirës – Lajmi.net
Arakani, dikur “Ishulli i Mëshirës”, tani kërkues i mëshirës
Autori: MEHMET ÖZTÜRK BotaOpinion 9:41, 3 September 2017
Muslimanët e Arakanit filluan të përfolen në Turqi dhe në shtetet e tjera muslimane vetëm pas sulmeve budiste ndaj tyre. Megjithatë, këta njerëz masakrohen prej dhjetëra vitesh, ndërsa qindra mijëra u detyruan t'i braktisin shtëpitë

Edhe përkundër faktit se muslimanët e Arakanit konsiderohen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si “pakica më e persekutuar në botë”, ky komunitet nuk e ka tërhequr shumë vëmendjen e botës dhe, më e rëndësishmja, atë të botës muslimane.

Muslimanët e Arakanit filluan të përfolen në Turqi dhe në shtetet e tjera muslimane vetëm pas sulmeve budiste ndaj tyre, duke filluar nga viti 2012. Megjithatë, këta njerëz masakrohen prej dhjetëra vitesh, ndërsa qindra mijëra u detyruan t’i braktisin shtëpitë.

Për t’i kuptuar më mirë masakrat me të cilat sot përballen muslimanët “Rohingya”, emërtim ky që etimologjikisht lidhet me fjalën arabe “merhamet” (mëshirë), dhe procesin e tëhuajtjes së tyre në atdheun e tyre, duhet që të mësohet edhe historia e tyre mjaft interesante.

Burimet historike flasin se në periudha të ndryshme historike, Arakani është udhëhequr si monarki e pavarur dhe sovrane, nga hinduistë, budistë dhe muslimanë.

Sipas të dhënave historike, Islami ka arritur në Arakan para vitit 788 përmes tregtarëve muslimanë, ndërsa popullata vendase islame filloi ta përqafonte Islamin ne grupe dhe që nga ajo periudhë, Islami ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e civilizimit në Arakan.

Ndërkaq, arabët ishin faktori më i madh në arritjen dhe vendosjen e Islamit në rajon. Burimet arabe të shekullit të nëntë dhe dhjetë e cilësojnë Arakanin si Xheziretur Rahmi ose Xheziretur Rahme, që do të thotë “Ishulli i Mëshirës”.

Ekspertët pohojnë se fjala “Rohang”, sipas së cilës emërtohen muslimanët e Arakanit, është forma e shtrembëruar me kohë e fjalës “Rahme” (Mëshirë).

Ndërkaq, origjina e muslimanëve të rajonit rrjedh nga populli Magh, vendas të rajonit, arabët të cilët kishin ardhur për tregti dhe njoftimin e Islamit dhe nga popuj të ardhur për qëllime politike dhe ushtarake, siç ishin indianët, mongolët, patanët, persët dhe turqit.

Periudha më e ndritshme e muslimanëve të Arakanit ishte periudha e Sulltanatit Mrauk-U.

Gjatë këtij sulltanati të Arakanit, i cili zgjati nga viti 1430 deri në viti 1784 me mbështetjen dhe nën protektoratin e Sulltanatit të Bengalit, muslimanët dhe budistët jetuan në miqësi me shekuj të tërë dhe administruan shtetin së bashku.

Pas islamizimit të Bengalit në vitin 1203, efekti i Islamit në Arakan u rrit, duke u materializuar në një vasal musliman nga viti 1430. Populli vendas Magh, në shekullin 15 filloi të pranojë Islamin dhe në periudhën mes viteve 1430 dhe 1530 muslimanët e Arakanit u morën nën protektoratin e Bengalit.

Administrimi dhe ndikimi i muslimanëve në Arakan zgjati për 350 vite, gjegjësisht deri në vitin 1784, kur u okupuan nga birmanezët.

Që nga kjo kohë, muslimanët e Arakanit përjetuan tri momente kyçe.

I pari ishte okupimi birmanez në vitin 1784, me të cilin filluan sprovat dhe vuajtjet e muslimanëve Rohingya që do të zgjasnin me shekuj.

Gjatë 40 viteve të okupimit, muslimanët masivisht u detyruan të migronin në anën e Bengalit.

Momenti i dytë kyç ishte qeveria koloniale britanike.

Edhe udhëheqja koloniale britanike që erdhi pas birmanezëve dhe zgjati nga viti 1824 deri në vitin 1948, nuk kishte shumë dallim. Britanikët në Arakan ndoqën politikën e njëjtë me atë që ndiqnin ndaj muslimanëve në subkontinentin indian: I privuan muslimanët nga qeverisja dhe arsimi. Muslimanët qëllimisht u lanë mbrapa.

Ndërkaq, goditja më e madhe që britanikët ia dhanë Arakanit ndodhi në vitin 1937 gjatë shkëputjes së Birmanisë nga India britanike, kur Arakani iu bashkangjit Birmanisë britanike, edhe pse Arakani gjatë largimit të britanikëve nga rajoni mund të ishte pjesë e Pakistanit Lindor dhe të mos e përjetonte tiraninë të cilën e përjetoi.

Rrjedhimisht, ato që sot ndodhin në Arakan mund të shihen në masë të madhe si vazhdimësi e trashëgimisë së pistë të britanikëve.

Momenti i tretë kyç për muslimanët Rohingya ishte pavarësimi i Birmanisë në vitin 1948. Në këtë periudhë, shtypjet dhe masakrat ndaj muslimanëve të cilët kishin fituar statusin e një shteti brenda Birmanisë u rritën dhe në këtë mënyrë filloi sprova e madhe për muslimanët Rohingya.

Shtypjet, masakrat dhe dëbimet që filluan pak para pavarësimit të Birmanisë, vazhdojnë edhe sot. Muslimanët e këtij rajoni po përjetojnë erozion të madh demografik, teksa në atdheun e tyre u degraduan në “pakicë” dhe “të huaj”.

Muslimanët e Arakanit përjetuan vrasje të mëdha në vitet 1942, 1947, 1954 dhe 1978. Dhjetëra mijëra u vranë, kurse qindra mijëra të tjerë u detyruan të migrojnë.

Muslimanët e Arakanit, i cili dikur cilësohej si “Ishulli i Mëshirës”, duket të kenë hyrë në një periudhë në të cilën më së shumti kanë nevojë për mëshirë dhe vëmendje nga muslimanët e botës.

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bike Rivals
  • Play Supercar Showdown
  • Play Turbo Racing 3
  • Play Bow Master