Arabia Saudite akuzon Iranin për “agresion”

Princi i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, akuzoi Iranin për akt të “agresionit të drejtpërdrejtë ushtarak”, duke furnizuar me raketa rebelët Huthi në Jemen.

Bota

07/11/2017 13:49

“Një gjë e tillë mund të konsiderohet akt i luftës”, i tha princi sekretarit të Jashtëm britanik, Boris Johnson, në një bisedë telefonike.

Të shtunën, Riadi ka qenë shënjestër e një rakete balistike, por ajo është penguar përpara se të arrinte në cak.

Mediat e lidhura me rebelët kanë thënë se Huthit kanë hedhur raketë balistike Burakn H2 në Aeroportin Ndërkombëtar Mbreti Khaled, i cili është rreth 850 kilometra larg kufirit me Jemenin dhe rreth 35 kilometra në verilindje të Riadit.

Arabia Saudite ka thënë se mbrojtja e saj raketore e ka kapur raketën në fluturim, porse copëza të saj kanë rënë brenda zonës së aeroportit. Nuk është raportuar për viktima.

Irani mohon armatosjen e rebelëve Huthi, të cilët luftojnë një koalicion të udhëhequr nga Arabia Saudite. Koalicioni mbështet Qeverinë e Jemenit, përballë rebelëve.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, ka thënë të hënën se “luftërat e agresionit” të Arabisë Saudite dhe “ngacmimet e saj rajonale” kërcënojnë Lindjen e Mesme.