Apple prezanton një MacBook të ri

Në ngjarjen që është duke u mbajtur tani në San Francisko, pas prezantimit të aplikacionit ResearchKit Apple ka prezantuar edhe një MacBook të ri.

Auto & Tek

09/03/2015 18:44

MacBook-u i ri peshon vetëm 1kg dhe duket si një zëvendësim për modelet MacBook Air të Apple.

24% më i hollë se MacBook Air 11 inç, me vetëm 13.1mm hollësi. Gjithashtu laptopi ka një tastierë të re, e cila shtrihet në gjerësinë e plotë të MacBook, transmeton Lajmi.net.

Tastiera përmban një mekanizëm të ri të quajtur “flutur”, për një eksperiencë më të mirë gjatë përdorimit.

Tastiera ka gjithashtu një dritë LED në çdo buton të shkronjave, duke ndihmuar kështu që pajisja të duket edhe më e hollë.

MacBook-u i ri ka një ekran 12 inç, i cili i bashkohet familjes së ekraneve Retina me një rezolucion 2304 x 1440. Apple thotë se ky MacBook konsumon 30% më pak energji elektrike se ekranet e mëhershëm, transmeton Lajmi.net.

Duke shikuar në brendësi të laptopit, ju mund ta shihni një konektor USB, duke e bërë kështu këtë pajisje laptopin e parë i cili përmban teknologjinë më të re të USB – lloji C.

MacBook-u i ri do të jetë në dispozicion në dizajn të argjendtë, gri dhe të arit. Çmimi fillestar i pajisjes është $1,299 dhe shitjet do të fillojnë më 10 prill.

MacBook tani ka edhe çipa më të shpejtë. Modelet MacBook Air dhe MacBook Pro tani kanë gjeneratën e pestë të çipave – i5 dhe i7.