Apple do të krijojë një bateri për iPhone që zgjatë me javë

Cili është shqetësimi juaj nr.1 në lidhje me celularët e mençur? Shanset janë se ju do të thoni “bateria”. Shumica e celularëve të mençur sot, mezi mund ta mbajnë baterinë një ditë – dhe atë duke mos e përdorur celularin shumë.

Auto & Tek

05/09/2015 10:29

Por, Apple është duke kërkuar për ta rregulluar këtë problem me një patentë të re, të cilën e ka paraqitur në muajin mars dhe e ka botuar me 3 shtator.

Patenta parashikon një sistem të përbërë nga qeliza të karburantit, që e konverton karburantin në energji elektrike, një ndërfaqe për një pajisje portative (për shembull celular) dhe një kontrollues që monitoron gjendjen e qelizave të karburantit dhe që e kontrollon atë, transmeton Lajmi.net.

Sa i përket patentës, për burimet e mundshme të karburantit për këtë lloj baterie përmendet litiumi hidrid dhe përzierja e ujit me hidrogjen të lëngët.

Apple-patent

Patenta thotë se një qelizë e karburantit me hidrogjen mund të “mundësojë funksionimin e vazhdueshëm të një pajisje portative elektronike për disa ditë ose edhe për disa javë”, pa e rimbushur atë.

Si gjithmonë, paraqitja e një patente nuk do të thotë se ne së shpejti do të shohim një produkt të Apple me këtë lloj teknologjie. Por, të paktën, dorëzimi i kësaj patente tregon se Apple është shumë e interesuar në këtë teknologji, për t’i ndezur shpresat se një iPhone mund të ketë një bateri të tillë në të ardhmen. (Lajmi.net)