Apoteoza e Ujit

Prishtinasit kanë para vetes një verë të rëndë. Ata që kalojnë pranë liqeneve furnizues, nuk kanë se si të mos i mbajnë sytë kah liqenet dhe qielli, në pritje të një rige shiu apo të disa fjollave të borës. Ibrahim Berisha hyjnizon ujin që i mungon në banesë.

Lajme

12/02/2014 15:54

Uji është jetë. Por, kur ai mungon, a mungon jeta?

Prishtinasit kanë para vetes një verë të rëndë. Ata që kalojnë pranë liqeneve furnizues, nuk kanë se si të mos i mbajnë sytë herë kah liqenet e herë kah qielli, në pritje të shiut ose fjollave të borës. Sa për t’ua rritur shpresën se niveli i ujit në to do të rritet.

Profesori dhe publicisti Ibrahim Berisha është ndalur për një çast për t’i bërë një përkushtesë çështjes me të cilën po përballen banorët e Prishtinës në këto ditë dimri.

Ai sot ia ka kushtuar një status në Facebook mungesës së ujit në Kryeqytet.

“Nuk ka ujë as në mëngjes, as në mesditë, as në mesnatë!”

“Këta flasin për gjëra që nuk duhen as në mëngjes, as në mesditë, as në mesnatë.”

“Uji, njësoj sikur toka, konsiderohet i shenjtë.”

“Uji ka rëndësi më të madhe se ushqimi, mbasi mundëson prodhimin e ushqimit.”

“Sa më shumë që të ketë një vend ujë të pijshëm dhe për të ujitur arat, kopshtet, drunjtë, aq më i pasur dhe më i begatshëm konsiderohet të jetë.”

“Uji ka rëndësi materiale dhe simbolike.”

“Të krishterët bëjnë kryq dhe i përkushtohen ujit.”

“Kur’ani flet për krijimin e të gjithave nga uji.”

“Indusët flasin për “Ujin e Jetës”…”

“Këta flasin për ujin e Drinit, Llapit, Lepencit…që ikën poshtë e lartë.”

“Në Kosovë nuk ka ujë të pijes dhe as ujë për ujitje.”

“Askush nuk flet seriozisht për ujin, rrezikun që sjell kjo mungesë. Nuk flasin as nuk punojnë gjë për Ujin. Flitet për gjithçka, por asnjëherë për Ujin!”

“Karl Wittfogel(1896-1988)  ndërtoi teorinë e “shoqërisë hidraulike” duke parë ujin dhe ujitjen  si faktor thelbësor të zhvillimit dhe organizimit social.”

“Teoria e thatësisë është ndër ne; madje, edhe mendje kaq të thata, duhet parë se sa po vuan vendi ynë për Ujë…për politika të reja të zhvillimit, me ujin në epiqendër”.