Apostolova mendon që Kosova ka shumë studentë që tregu i punës nuk mund ti përballoj të gjithë

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, tha se Kosova ka numër shumë të madh të studentëve, kjo sipas saj është e mirë, por që tregu i punës në vend nuk mund të përballojë ata.

Lajme

08/05/2018 11:30

Kjo duke iu përgjigjur pyetjes së një nxënëse të Gjimnazit “Sami Frashëri”, kur Apostolova bashkë me Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, kanë bërë hapjen e serisë së Ditëve të Mësimit për BE-në.

Ajo tha se është mundësi për nxënësit e shkollave të Kosovës që të takojnë diplomatë të BE-së dhe përfaqësues nga institucionet e BE-së, si dhe që të mësojnë për BE-në dhe mundësitë dhe sfidat e procesit të integrimit evropian.

Sipas saj, edukimi është kusht për integrim, ngase i përgatit të rinjtë të përballen me vendet e zhvilluar.  Ajo shtoi se edhe sundimi i ligjit është i rëndësishëm, por edukimi duhet të jetë prioritet.

“Ju jeni e ardhmja e Kosovës. Jemi duke investuar në infrastrukturë e shkollave për tu dhënë mundësi të mira, pastaj edhe trajnimin e mësimdhënësve”.

“Nuk është e lehtë që BE të ketë 28 vende, por kemi edhe 6 vende të Ballkanit që duhet të jenë pjesë e BE”.

Apostolova tha se liberalizimi i vizave do tu mundësojë nxënësve që të lëvizin lirshëm në vendet e BE, për të shkëmbyer përvojat e për të studiuar atje. Ajo më pas ka njoftuar nxënësit për institucionet e Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Ministri Bytyqi tha se në Kosovë ka shumë profesione që mungojnë ekspertët, prandaj sipas tij, është e rëndësishme përzgjedhja e profesionit që të sigurohet një e ardhme.

Ai shtoi se në shkencat ekzakte ka mungesë të kuadrove, duke shtuar se bizneset e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë.

Bytyqi tha se kjo është e përgjegjësi e institucioneve, në mënyrë që profesione që mungojnë në Kosovë të stimulohen nga shteti.

“Kemi problem me Matematikë, Fizikë etj. Të keni një orientim të qartë në karrierë”.

Sipas tij, se për një muaj me radhë, Ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së do të mbajnë “orë mësimi” në shkolla të ndryshme në gjithë Kosovën.

“Porosi për mësimdhënësit mos ta shohin veten të punësuar, por tu ofrojmë nxënësve mësimënxënie cilësore”.

Prezantimet nga Ambasadorët do të përfshijnë përvoja nga vendet e tyre përkatëse, për sa i përket procesit të integrimit evropian, derisa edhe shpjegojnë para nxënësve se çfarë do të thotë perspektiva evropiane për Kosovën.

Ambasadorët e BE-së do të përqendrohen posaçërisht tek rëndësia e shkollimit të mirë për zhvillimin personal, por edhe për zhvillimin socio-ekonomik të vendeve përkatëse, si dhe se çfarë do të thotë përparim i Kosovës në rrugën e saj evropiane.

Projekti është mbajtur çdo vit që prej vitit 2009.