Apostolova dhe Hoxha qytetarëve: Mos bini pre e dezinformatave për migrim

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u takua sot me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, njofton kumtesa ministrore.

Lajme

12/09/2017 18:15

Hoxha dhe Apostolova njëkohësisht ju bëjnë ftesë qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e dezinformatave për të migruar në mënyrë të parregullt sepse është plotësisht e konfirmuar se nuk ka azil në BE për qytetarët nga Kosova, pasi që Kosova është vend i sigurt i origjinës dhe qytetarëve të saj nuk u njihet e drejta e azilit në shtetet anëtare të BE-së.

Në rast të ndonjë kalimi eventual, sipas kumtesës, organet e sigurisë të cilitdo nga kufijtë e zonës Schengen do të marrin masa ligjore për kalim të parregullt të kufirit. Ndërsa, përpos shpenzimeve materiale atyre do tu ndalohet edhe hyrja në Schengen për vite të tëra.

Hoxha njoftoi Apostolovën për vizionin e saj rreth procesit të integrimit Evropian dhe potencoi domosdoshmërinë për të përfunduar kriteret e mbetura teknike për të ecur tutje me procesin e liberalizimit të vizave, dhe që ky proces sa më parë të përmbyllet.

Nga ana e saj, Apostolova potencoi se BE-ja vazhdon të jetë e gatshme ta ndihmoj Kosovën në këtë proces.