Aplikimi i Kosovës në KiE, shtyhet nga shtetet e Quint-it

Kosova ende nuk do të mundë të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropës, ani pse një gjë e tillë është premtuar nga Qeveria që do të ndodh në muajt e parë të vitit të kaluar.

Lajme

26/01/2016 18:38

Madje një gjë e tillë, nuk dihet nëse do të bëhet edhe këtë vit, për shkak të situatës aktuale në të cilën vendi po përballet me ngërç politik që 4 muaj, raporton lajmi.net.

Pa ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në Kuvend, do të vonohet edhe aplikimi i Kosovës për në Këshillin e Evropës.

Burime brenda Qeverisë bëjnë të ditur për lajmi.net se shtetet e Qunit-it (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) kanë kërkuar kohë nga institucionet e vendit që të mos aplikojnë në KiE, pa ndodhur ratifikimi i MSA-së në Kuvend.

“ Kjo është në koordinim të plotë më shtetet e Quntit dhe rekomandim i tyre është që mos të hapim shumë fronte, por këto të kryhen një nga një, e po ashtu një gjë e tillë të ndodh pasi kryhet gjithë MSA-ja”, thonë këto burime.

Po të njëjtat burime theksojnë se është kërkuar që të mos hapen fronte të reja sikurse kjo e Këshillit të Evropës.

Ndërsa, këtë të enjte pritet të mbahet seanca e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), ku do të flitet për të drejtat e njeriut në Kosovë e po ashtu edhe për gjendjen aktuale të vendit.

Në të njëjtën kohë, raportuesi për Kosovën në këtë parlament deputeti spanjoll, Augustin Conde, ka thënë se është njoftuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe zëvendësministri i Jashtëm, Petrit Selimi, për kërkesën që do planifikojnë ta dorëzojnë për t’u anëtarësuar në PACE.

“PACE ka vetëm rol këshillvënës në procesin e një anëtari të ri, ndërsa rol vendimtar për këtë ka komiteti i ministrave. Një vendim i tillë merret me konsensus, por e dimë se 13 shtete anëtare të KiE nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Conde.

Përndryshe Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë një unitet më të madh midis anëtarëve të tij./lajmi.net.