Aplikacioni që teston syrin

Një ekip themeluesish të një aplikacioni për ekzaminimin e syrit kanë filluar një fushatë botërore për të fituar para për këtë shpikje. Peek Retina është një aplikacion që mundëson ekzaminim profesional të syrit, pa kosto.

Auto & Tek

27/11/2014 13:46

Peek është një aplikacion për celularë që mundëson ekzaminime profesionale të syrit në çdo vend të botës.

I krijuar nga një ekip i specialistëve të syrit, ndërtues të programit dhe dizajner, aplikacioni ka për qëllim që të rrisë qasjen në kujdes të syrit në të gjithë botën, transmeton Lajmi.net.

Peek Retina punon përmes kamerës së celularit për t’i lejuar punonjësit shëndetësor të shikojnë brenda një syri dhe të kapin imazhe të kualitetit të lartë dhe më pas t’i dërgohen ato ekspertëve për diagnozë.

Kjo shpikje eliminon nevojën tradicionale për ophthalmoskopë dhe kamera të tjera, duke e bërë të mundur ekzaminimin e syrit në çdo pjesë të botës pa kosto.

Përmes këtij aplikacioni do të mund të zbulohen edhe kushte të tjera të tilla si diabeti dhe tensioni i lartë.

Ekzaminimi profesional i syrit përmes këtij aplikacioni do të jetë i njëjtë për nga kualiteti i ekzaminimit si për njerëzit në Kenia që nuk kanë fare kushte për ekzaminime, ashtu si në një spital mjaft profesional në Londër, transmeton Lajmi.net.

Për momentin ky aplikacion nuk është i gatshëm për tu shkarkuar, pasi që nevojiten para për ta kompletuar atë, gjë që edhe i shtyu themeluesit e tij të hapin një fushatë për të mbledhur para për këtë shpikje.