Apeli vërteton pafajësinë e ish-drejtorit dhe inspektorit në Prizren që akuzoheshin për korrupsion

Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin e Inspektoratit në Prizren, Bedri Bytyqi si dhe inspektorin e ndërtimit në këtë komunë, Bashkim Krasniqi.

Lajme

15/08/2018 16:14

Po ashtu, Apeli ka liruar nga akuza për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme edhe të akuzuarin tjetër në këtë rast, Faton Hoxhën.

Njëjtë sikurse Apeli, të tre të akuzuarit ishin liruar nga akuzat edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, në janar të këtij viti.

Mirëpo, e pakënaqur me lirimin e tyre nga akuzat kishte mbetur Prokuroria Themelore në Prizren e cila kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me propozim që çështja të kthehet në rigjykim.

Sipas pretendimeve ankimore të prokurorisë, gjykata nuk ka dhënë fakte vendimtare  kur ka nxjerre aktgjykim lirues  për të  akuzuarit si dhe gjykata nuk ka dhënë arsye të qarta se cilat fakte i konsideron si të pa vërtetuara e sidomos nuk ka vlerësuar në mënyrë të saktë provat kundërthënëse e të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Këto pretendime të prokurorisë, gjykata e shkallës së dytë i ka vlerësuar si të pabazuara.

Sipas aktgjykimit të Apelit, pretendimet e  Prokurorisë Themelore në Prizren, nuk qëndrojnë ngase aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale te dispozitave te procedurës penale te pretenduara me ankesë e as shkelje te tjera te cilat kjo gjykatë i konstaton sipas detyrës zyrtare, e te cilat kishin me kushtëzuar anulimin e aktgjykimit.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, konkret, nuk përmban kundërthënie qoftë me vetveten qoftë me arsyetimin e tij, ne arsyetimin e aktgjykimit te ankimuar janë dhënë arsye te duhura juridike dhe faktike te cilat i aprovon edhe kjo gjykatë, duke vënë në dukje se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i merr si te provuara ose te paprovuara, duke bërë vlerësimin e provave kontradiktore konform dispozitës se nenit 370 par.7 te KPPRK”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, raporton “Betimi per Drejtesi”.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka liruar nga akuzat, të akuzuarit, Bytyqi dhe Krasniqi, sepse aktet administrative të nxjerra nga organi i inspeksionit në Prizren edhe tani janë në fuqi dhe të njëjtit qëndrojnë pranë ekzekutimit të dhunshëm të rrënimit të ndërtesës së tillë, si konkluzioni, njoftimi për të akuzuarin Hoxha.

Mirëpo, siç thuhet në aktgjykim, rrënimi nuk është bërë ende në mënyrë që të mundësohet që i akuzuari Hoxha t’i shfrytëzojë të drejtat që i ka si palë në procedurën administrative e që organi kompetent administrativ në bazë të ligjit mbi Procedurën Administrative, palës i ka dhënë të drejtën e ankesës përkohësisht ka pezulluar ekzekutimin duke konsideruar se në rast se realizohet rrënimi e procedura të përfundoj në favor të palës në kontest administrativ atëherë të njëjtit do ti shkaktohej dëm i madh.

Andaj, sipas Apelit, pritja e vendosjes përfundimtare është e arsyeshme në pikëpamje të shkaktimit të paarsyeshëm të dëmit pasuror, dhe për këto arsye kjo gjykatë konsideron se me vend ka vepruar gjykata e shkallës së parë kur ka shtyrë ekzekutimin e rrënimit të objektit ngase i akuzuari Hoxha, ka ushtruar ankesë në konkluzion dhe në njoftimin për rrënimin e objektit  në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilit nuk kanë vendosur ende për ankesën e gjithashtu ka hapur edhe konflikt administrativ lidhur me këtë çështje administrative para Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të cilën nuk është vendosur ende.

Sa i përket të akuzuarit Hoxha, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se shkalla e parë ka vepruar drejt kur të njëjtin e ka liruar nga akuza, ngase nga provat e administruar është vërtetuar se  i njëjti në vitin 2015, nga Iliaz Susuri ka blerë 7 ari tokë në hyrje të fshatit Zhur, dhe se për të njëjtën të gjithë e kanë ditur se është pronë private e Iliaz Susurit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Bashkim dhe Bedri Bytyqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj të akuzuarit Faton Hoxha, për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohej se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohej se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Po ashtu, i akuzuari Faton Hoxha akuzohej se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar për uzurpim të pronës së paluajtshme edhe Ilaz Susuri, por për të njëjtin është ndarë lënda pasi që nuk është arritur të sigurohet prezenca e tij për arsye shëndetësore.

Në prill 2017, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi.