Apeli vërteton dënimin prej katër vjet e gjashtë muaj burgim për tentim vrasjen në Vushtrri

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin Sabedin Hyseni ishte dënuar me katër vjet e gjashtë muaj burgim, për veprat penale të vrasjes në tentativë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Lajme

17/01/2018 16:43

Gjykata Themelore në Mitrovicë, me aktgjykimin e së 29 shtatorit të vitit 2017, të akuzuarin Hyseni e kishte shpallur fajtor, me ç’rast për vrasje në tentativë ishte dënuar me katër vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje, Hyseni ishte dënuar me një vit burgim.

Si dënim unik, gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar Sabedin Hysenin me katër vjet e gjashtë muaj burgim.

Kundër këtij aktgjykimi ankesë në Apel kishin paraqitur Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përfaqësuesja e palës së dëmtuar në këtë rast, Naser Rrahmanit si dhe vet i akuzuari Hyseni.

Prokuroria si dhe pala e dëmtuar me ankesë kishin kërkuar nga Apeli që të akuzuarit Hyseni t’i shqiptohet një dënim më i lartë unik, kurse mbrojtja e të akuzuarit i kishte propozuar kolegjit të Apelit zbutjen e dënimit të shqiptuar në shkallë të parë.

Këto ankesa të bëra nga prokuroria, pala e dëmtuar dhe mbrojtja, Apeli i ka vlerësuar si të pabazuara.

Sipas vlerësimit të kësaj Gjykate dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë në tërësi është i qartë dhe konkret dhe përmban arsye të duhura mbi të gjitha faktet vendimtare, të kësaj çështje juridiko-penale.

Tutje, në arsyetimin e saj, Apeli thekson se shkalla e parë ka bërë përshkrimin e duhur të veprimeve inkriminuese të akuzuarit duke dhënë edhe tiparet dhe faktet vendimtare për to.

“Në arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar, janë dhënë arsyet e duhura faktike dhe juridike, të cilat si të drejta dhe të ligjshme i aprovon edhe kjo gjykatë”. – thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, përfundimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje ka tentuar me e privuar nga jeta të dëmtuarin Rrahmani, janë të drejta, sepse nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësorë  dhe nga vet mbrojtja e të akuzuarit vërtetohet se pas mosmarrëveshjes që kishte i akuzuari atë ditë me të dëmtuarin, shkon në shtëpi, merr armën, pret anë rrugës deri sa vjen i dëmtuari dhe nga arma – pushka automatike “AK 47″ ka shtënë në drejtim të traktorit të cilin e ka drejtuar i dëmtuari dhe i shkakton lëndime trupore të përshkruara si më lartë.

Në fund të aktgjykimit të saj, Apeli thekson se për një dënim më të ashpër, siç pretendon përfaqësuesja e palës së dëmtuar, gjegjësisht një dënim më të butë, siç pretendon mbrojtja, nuk janë plotësuar kushtet ligjore, aq më parë kur me ankesa nuk theksohen rrethana të tilla që do të arsyetonin një dënim më  të ashpër, gjegjësisht më të  butë.

Fillimisht nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, Sabedin Hyseni akuzohej për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa gjyqtari Beqir Halili, në shpalljen e aktgjykimit kishte njoftuar se gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë në tentativë” në “vrasje në tentativë”.

Sabedin Hyseni akuzohej nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë se më 23 tetor 2012 , në ora 16:30 minuta, në fshatin Samadrexhë të Komunës së Vushtrrisë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale  “vrasje në tentativë” ndaj të dëmtuarit Naser Rrahmani.

I pandehuri ka shtënë me armë zjarri  të markës “AK-47”  me numër serik – 01799 , të kalibrit 7.62 drejt të dëmtuarit duke i shkaktuar plagë në regjionin e murit të majtë dhe regjionin e kalkaneusit, duke vënë në rrezik edhe jetën e Arsim Sinanit.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”, neni 179 , paragrafi 1 i lidhur me paragrafin 1.4 dhe 1.5 dhe neni 28 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Hyseni ngarkohet edhe me veprën “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 374  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.