Apeli vërteton aktakuzën në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja

Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin e të akuzuarve për arratisjen nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lajme

03/07/2018 10:56

Themelorja në Prishtinë, më 5 prill të këtij viti, ka refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, në rastin e të akuzuarve për arratisjen nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), të ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

“Gjykata e Apelit e Kosovë, vlerëson se Gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejt kur i ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve për hedhjen e aktakuzës si të pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, meqenëse nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4  të  këtij kodi”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, sipas prokurorisë, kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Më 2 shkurt të këtij viti, mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar hudhjen e aktakuzës në këtë rast.

Në këtë rast përveç Sami Lushtakut akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen./Lajmi.net/