Apeli për fushatë të ndershme

Valdete Daka ka kërkuar nga subjektet politike që të mos e keqpërdorin fushatën, por ta shfrytëzojnë atë për t’i prezantuar para qytetarëve programet e tyre qeverisëse.

Lajme

04/10/2013 13:23

Kryetarja e Komisioni Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike të zhvillojnë fushatë fer dhe demokratike.

Fushata për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ka filluar dy ditë më parë dhe do të zgjasë deri më 1 nëntor në mesnatë kur do të hyjë në fuqi heshtja zgjedhore 24 orëshe.

Daka ka thënë për Epoka e Re se nga subjektet politike të cilat garojnë në këto zgjedhje kërkohet vetëm respektimi i rregullave zgjedhore të Ligjit të Zgjedhjeve.

“U bëj thirrje subjekteve politike të mos e keqpërdorin fushatën elektorale, por ta shfrytëzojnë atë për t’i prezantuar para qytetarëve programet e tyre qeverisëse. Të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet t’u jepet mundësia që gjatë kësaj fushate të kenë një prezantim fer nga të gjitha subjektet politike, në mënyrë që të shohin se cili nga programet e partive është më i mirë për të ardhmen e tyre”.

“Kërkesa ime e vetme është që subjektet politike gjatë këtyre 29 ditëve të fushatës zgjedhore t’i respektojnë rregullat zgjedhore dhe Ligjin për Zgjedhjet”

“Edhe pse jemi në fillim të procesit, besoj se do të kemi një fushatë zgjedhore të rregullt, fer dhe demokratike. Një fushatë e lirë, fer dhe demokratike do t’i kontribuojë një procesi të mirëfilltë zgjedhor më 3 nëntor”.