Apeli kthen në rigjykim çështjen e Fuad Ramiqit dhe 10 të tjerëve

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të 11 personave të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Lajme

02/10/2014 17:32

Apeli vendosi që aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit, i datës 19.09.2014, të anulohet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë për rivendosje, transmeton KosovaPress.

Deri në marrjen e një vendimi të ri nga ana e kësaj të fundit, 11 të pandehurit do të qëndrojnë në paraburgim.

Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit konstatoi po ashtu se ankesat e dy të pandehurve tjerë të këtij rasti E. R. dhe E. A. janë jo lëndore.

Gjykata e Apelit vlerëson se aktvendimi i shkallës së parë (Gjykatës Themelore në Prishtinë) përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 i Kodit të Procedurës Penal të Kosovës, ngase në arsyetimin e tij nuk janë paraqitur arsye përkitazi me faktin vendimtar apo kushtin elementar (dyshimin e bazuar), i cili duhet të plotësohet për t’iu caktuar dikujt paraburgimi.