Apeli konfirmon aktakuzën ndaj 39 mjekëve të akuzuar në rastin “Stenta 2”

Gjykata e Apelit e Kosovës, duke vendosur sipas ankesave, e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 30 maj 2018, me anë të së cilit janë refuzuar si të pabazuara kërkesat e 39 të akuzuarve për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lajme

17/08/2018 19:35

Bëhet fjalë për pjesën e dytë të të akuzuarve të rastit “Stenta”, ku janë të përfshirë Gani Bajraktari, Murat Abazi, Fisnik Hima, Afërdita Selmanaj, Agim Krasniqi, Banush Gashi, Faik Shatri, Luan Pazhari, Lulzim Kamberi, Florim Sadiku, Nebih Musliu, Driton Miftari, Besnik Koliqi, Hajdin Qitaku, Sami Gjoka, Besim Guda, Halim Halili, Daut Gorani, Bajram Preteni, Elfedin Muhaxheri, Bajram Mziu, Nehat Rexhepi, Hamza Selmani, Lazer Prekpalaj, Shemsedin Shabollari, Galina Berisha, Dardan Koqinaj, Masar Gashi, Agron Leka, Mirdi Strana, Xhevdet Krasniqi, Edmond Haliti, Nexhmi Zeqiri, Reshat Emra, Ismajl Avdimetaj , Petrit Ademaj, Arlind Batalli, Afrim Poniku dhe Agron Besimi.

Në komunikatën e Apelit thuhet se kjo gjykatë ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ka vepruar drejt kur i ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve për hedhjen e aktakuzës si të pabazuar, në bazë të nenit 249 par.3 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, meqenëse nuk paraqiten asnjë nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të këtij kodi.

Fillimisht, në rastin “Stenta” kishin qenë të përfshirë 64 të akuzuar, mirëpo në ndërkohë, prokuroria ishte tërhequr nga ndjekja penale ndaj Afrim Bekteshit, kurse, për të akuzuarit tjerë ishte vendosur të zhvilloheshin tri procedura të ndara gjyqësore.

Një vendim të tillë, gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri e kishte marr në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti, për arsye të efikasitet të çështjes, pasi që si pasojë e numrit të madh të personave të akuzuar, kjo lëndë është sfiduar të trajtohet në praktikë nga gjykata.

Kështu, në rastin tash të njohur si “Stenta 1”, janë duke u gjykuar ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani, në rastin “Stenta 2”, janë të akuzuar Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 43 mjekë të tjerë, kurse në “Stenta 3” janë të përfshirë të akuzuarit, Ali Hocaoglu, Mahmut Çakmak, Raif Çavolli, Borche Petrovski, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Abdullah Tuna, Astrit Bakiqi, Driton Sylejmani, Arton Beqiri, Lulzim Brovina dhe katër spitale private si persona juridik.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe katër personave juridikë.  Mirëpo për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast.