Anulohet “Bridge Film Fest” pas hakimit

Festivali i filmit “Bridge Film Fest” i paraparë të organizohej në Mitrovicë është anuluar.

Lajme

09/09/2016 07:32

Për të diskutuar rreth shkaqeve të anulimit të tij, sonte në Kosova Direkt, e ftuar është drejtoresha e këtij festivali, Nerimane Ferizi.

Arsyeja e anulimit të festivalit sipas Ferizit është hakimi që i është bërë sistemit kompjuterik.
“Edicioni i tretë është ndalë për shkak të ndërhyrjes në sistemit kompjuterik. Janë hakuar e-mail zyrtarë, ueb faqja, rrjetet sociale etj” ka thënë Ferizi.

“Janë ndërruar edhe datat e festivalit, që ka shkaktuar konfuzion tek pjesëmarrësit.”
Edhe pse Ferizi deklaroi që ka njohuri se kush janë autorët e kësaj ndërhyrje ajo nuk bëri publik emrat e tyre përderisa ka thënë që ka ngritur aktakuzë në gjykatë.

“Kemi dërguar aktakuzë në gjykatë. Gjykata ka të gjitha dëshmitë dhe faktet që i duhen dhe besoj që do të gjinden fajtorët”.

Ndërsa për drejtoreshën e “Bridge Film Fest”, ky anulim shkaktoi humbje të mëdha.

“Përveç artit, Mitrovica po humb edhe një kinema që do ta kishte për një javë, duke pasur parasysh që qyteti nuk ka një të tillë. Është krijuar një imazh i keq për qytetin e njëkohësisht ka humbur edhe turistë.” përfundoi Ferizi.