Anton Quni: Organet maqedonase shkelën konventat ndërkombëtare

Nëntë kosovarët që u vranë në incidentin e Kumanovës, meritojnë nderim kombëtar, sepse dhanë jetën për një ideal, vlerësoi deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Lajme

24/05/2015 09:30

Ish bashkëluftëtarët e tij të luftës së fundit në Kosovë, Quni i përshkruan si djem të zotë, atdhetarë e trima, të cilët nuk hezituan ta japin jetën për trojet etnike.

Ngjarjen në Kumanovë Quni e quan të mistershme dhe të papritur, e të cilën fqinjët do të mundohen ta kapitalizojnë për interesa të veta politike e partiake, duke u munduar t’ia veshin fajin Kosovës.

Në një intervistë të gjatë për KosovaPress, Quni thotë se ata djem u vranë për një ideal, dhe për këtë kombi duhet t’u japë respektin më të lartë gjatë varrimit të tyre.

“Lidhur me këtë pyetje më shumë do të jepja një përgjigje nga pozicioni i ish luftëtarit para 15, 16 viteve. Njësia e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të cilën unë e kam udhëheq, ka qenë familja ime e dytë dhe nuk mund të sillem karshi kësaj kërkese të familjarëve si një politikan, por si një bashkëluftëtar, pa marrë parasysh ngjyrimet që i jepen këtij rasti. Gjithë konfuziteti që është krijuar, unë mendoj që këta djem e meritojnë një nderim kombëtar dhe sjelljen e kufomave të tyre ne duhet ta bëjmë në mënyrën më të dinjitetshme, më të civilizuar, sepse tek e fundit këta e kanë dhënë jetën për një ideal”, tha Quni.

Deputeti i LDK-së, i cili vjen nga fusha ushtarake, nuk ka dashur të flasë nëse ish bashkëluftëtarët e tij u tradhtuan apo jo, ndonëse sipas tij, ka mundur edhe të tradhtohen. Por, ai thotë se veprimtaria e tyre në territorin e Maqedonisë ishte e gabuar.

“Nëse e bëj një vlerësim profesional, pasi vij nga fusha ushtarake, mund të jetë që ka ndodh ndonjë tradhti, por unë nuk dua të spekuloj në këtë drejtim. Por sado që janë dhënë vlerësime të larta për ish bashkëluftëtarët tanë, unë mendoj se aktiviteti dhe veprimtaria e tyre ushtarake në territorin e Maqedonisë nuk ka qenë profesionale. Me tradhti apo pa tradhti, jam më se i bindur që aktiviteti i tyre është dekonspiru shumë shpejt. Ne nuk kemi pas ndonjë përvojë për luftëra urbane edhe përzgjedhja e atij lokacioni që të vendoset ky formacion brenda Lagjes së Trimave, një lokacion i banuar, një lokacion me infrastrukturë të ngritur urbane mendoj që ka qenë një përzgjedhje jo e mirë edhe kush do që e ka pru këtë vendim mendoj që ka gabuar”, tha Quni.

Madje, Quni shton se asnjëri nga këta djem nuk i ka paradispozitat që ta zhvilloj një formacion ushtarak dhe atë ta vë në veprim për t’i realizuar synimet. Sipas tij, këta kryesisht kanë qenë djem të zot, trima, të shkathtë para 15 apo 16 viteve, të gatshëm të sakrifikojnë edhe me jetën e tyre, por sot çdo njërin ta kalonin nëpërmjet një testi shumë të thjeshtë psiko-fizik të policisë apo të FSK-së, shumica e tyre nuk do ta kalonin.

Ndërsa, duke folur për ndërhyrjen e Policisë maqedonase në Kumanovë dhe luftimet me grupin e armatosur, Quni thotë se ishte tejet jo profesional, duke mos respektuar asnjë prej konventave ndërkombëtare.

“Po ashtu, nga ana e institucioneve të Maqedonisë reagimi ka qenë jo profesional, ndoshta ata kanë dashur të bartin një mesazh se në raport me forca të tilla janë të pamëshirshëm dhe pa kompromis por sidoqoftë, posaçërisht në vendet perëndimore, në vendet e qytetëruara të cilat kanë shumë përvoja në këtë fushë, situata të tilla menaxhohen më mënyrë shumë më të sofistikuar…Por në këtë rast është vepruar me një agresivitet duke i thyer të gjitha rregullat dhe normat, konventat ndërkombëtare të nënshkruara edhe nga Maqedonia për respektimin e të drejtave të njeriut, për respektimin e të drejtave të robërve të luftës e tjera. Me siguri se qeveria aktuale ka dashtë me dhënë një mesazh se ata janë një faktor i rëndësishëm në Ballkan dhe përballen gjithnjë me vështirësitë e shteteve fqinje nga të cilët ata kinse atakohen dhe të krijojnë një favor politik për interesat e tyre nacionale gjithnjë në raport mes Maqedonisë dhe apo maqedonasve dhe kombit shqiptarë”, shprehet ai. /KosovaPress/