Anton Quni i përgjigjet Ganimete Musliut rreth akuzave për Gjykatën Speciale

Kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Anton Quni, ka folur për zërat se është kontaktuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar për krime lufte.

Lajme

27/05/2017 18:53

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Quni i është kundërpërgjigjur ish-deputetes së PDK-së Ganimete Musliu, e cila në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ai është dëshmitar i Gjykatës Speciale.

Por, Quni ka mohuar se është kontaktuar ndonjëherë nga kjo Gjykatë, qoftë si dëshmitar apo si i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje, duke e quajtur deklaratën e Musliut si sharlante.

“Rreth kësaj deklarate komplet sharlatane unë mund veç të përsëris atë që e thashë edhe në seancën e fundit të Parlamentit. Asnjëherë nuk jam kontaktuar nga asnjë institucion hetimor apo hetues të çfarëdo natyre, as vendor e as ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar, qoftë si i dyshuar apo i involvuar në çfarëdo lloj ngjarje. E thashë që jam i njohur, ashtu siç mund ta di edhe opinioni i gjerë, se kam një aktakuzë të ngritur nga Serbia, nga e cila jam i dënuar me 15 vite burgim, me vendim të prerë. Më tepër se kaq, asgjë!”, ka thënë Quni.

Ai është shprehur i gatshëm të përgjigjet para çdo lloj thirrje për të mbrojtur vlerat e luftës së UÇK-së.

“Unë kam qenë ushtar i UÇK-së dhe në çfarëdo lloj situate nëse jam i thirrur, unë nuk do të hezitoj që ta bëj publikisht me krenari mbrojtjen e vlerave të luftës së pastër të djemve dhe vajzave  të Kosovës”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Sipas Qunit, deklarata e Ganimete Musliut, është e qëllimshme dhe me tendencë për të shkaktuar huti tek kolegët e tij bashkëpartiak dhe të tjerë si dhe tek opinion i gjerë.

Lexoni po ashtu:  Limaj: Për dy vjet do t’i krijojmë 25 mijë vende pune – përparësi familjet në asistencë sociale

“E qëllimshme dhe me tendencë për të shkaktuar huti tek kolegët e mi bashkëpartiak dhe të tjerë si dhe tek opinion i gjerë. Edhe pse më mirë do të ishte sikur këtë pyetje t’ia drejtonit koleges Musliu se çfarë deshi të thotë e çfarë synonte të arrinte me atë deklaratë pa asnjë bazë. Si kolegë që ishim në legjislaturën e kaluar, ajo ka patur mundësi të më pyeste nëse ka pasur mëdyshje rreth çështjes në fjalë dhe unë do t’i tregoja siç po e them tani që: askush kurrë nuk më ka kontaktuar për asnjë lloj informacioni apo dyshimi rreth veprimtarisë gjatë kohës së zhvillimit të luftës dhe pas saj”, ka deklaruar Anton Quni për “Bota sot”.