Anton Berisha: Nuk e di çka po ndodh në AAK

Kam vendosur të reduktoj aktivitetet politike e partiake. Nuk jam pjesë e procesit zgjedhor brenda AAK-së. Mirëpo, besoj se pas këtij procesi Haradinaj të ketë në dispozicion analizën reale e jo imagjinare të partisë, thotë Anton Berisha, i cili u bë pjesë e kësaj partie para dy vjetësh. 

Lajme

18/01/2015 09:29

Sipas Berishës, i cili një kohë ka qenë kryeshef i Rregulatorit të posttelekomit, kurse më vonë edhe ambasador i Kosovës në Slloveni, prej nga u tërhoq, thotë se sikurse që ka dështuar LDK-ja, edhe Haradinaj s’po mund të shtyjë përpara idenë për Kosovën shtet me koncept perëndimor. Në një intervistë për gazetën Express ai ka folur edhe për mos(domosdonë) e një shqiptari të fesë katolike në Qeverinë e Kosovës.

Intervista e plotë:

Express: Si i shihni lëvizjet e fundit të AAK’së dhe të Ramush Haradinajt në reformimin e partisë?

Anton Berisha: Nuk e di! Synimi im për këtë vit është që më shumë kohë t’i kushtohem librit, leximit dhe më shumë privatësisë dhe të reduktoj aktivitetet politike partiake.

Express: A është duke bërë reformë z. Haradinaj apo ka vendosur të merr sa më shumë koka?

Anton Berisha: Thashë, nuk jam pjesë e këtij procesi dhe nuk mund të nxjerrë përfundime.

Express: A po shkon drejt zhdukjes Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pasi ka hyrë në mandatin e tretë si parti opozitare dhe ka humbur në shumë komuna të Kosovës?

Anton Berisha: Sa di unë, janë formuar disa komisione të cilat kanë mundësinë për të analizuar gjendjen në AAK. Do të doja që z. Haradinaj, si një ndër figurat e rëndësishme dhe kontribuese në Kosovë, të ketë në dispozicion nga këto komisione analizën reale të gjendjes dhe jo atë imagjinare, në mënyrë që të veprojëj në të mirë të subjektit që drejton dhe, besoj në bazë të vullnetit të mirë të tij, në të mirë të Kosovës.

Express: Është përmendur mundësia e themelimit të një partie politike nga ju, Pal Lekaj e Ali Berisha. Cila është e vërteta?

Anton Berisha: Raportet e mia me figurat e AAK-se kanë qenë besoj korrekte. Megjithatë, z.Haradinaj dhe z. Lekaj kanë qenë arsyet kryesore te angazhimit tim në kontekstin e përmbylljes së procesit të shtetformimit dhe marrjen parasysh të faktit, se ky shtet nuk ka pse të kompleksohet nga fakti që shumicën e popullatës e përbëjnë shqiptarët.

Express: Nëse e themeloni këtë parti cilat do të jenë synimet e saj?

Anton Berisha: Unë nuk jam i lidhur me parti, por me ide. Winston Churchill thoshte se nuk janë partitë ato që ndërrojnë idenë time por unë që duhet të insistoj në idenë time. Në qoftë se kemi një gjendje, që LDK –ja i është shmangur idesë së themeluesit të saj Dr. Rugova, si lëvizje shqiptare për liri, shtet me koncept perendimor, dhe nëse z.Haradinaj , si një bashkëpunues i z. Rugova, në një periudhë shumë delikate për Kosovën, nuk po arrin ta shtyej këtë agjendë, atëherë ne ndodhemi në një nevojë të analzimit të kujdesshëm të gjendjes.

Express: Ka pasur ankesa sa i përket pjesëmarrjes së komunitetit katolik në institucionet e Kosovë, përfshirë Qeverinë, Ambasadat etj. A po synohet përmes kësaj partie të ktheni prezencën e këtij komuniteti në institucionet shtetërore?

Anton Berisha: Nuk është çështje ankese por është jeta vetë. Ne nuk do të lejojmë qasjet reduktuese brenda domenit fetar ngase ajo nuk përkon as me historinë e as me të sotmen. Ideja per liri, pavarësi, shtet nga intelektualët me përkrahja masive popullore dhe përkrahja perendimore, nuk është bërë për një popull imagjinar, për një komb që do të formohet pas themelimit te shtetit; por është bërë nga vetë populli shqiptarë ndërsa përkatësia e tyre fetare është në kuadër të lirisë së tyre individuale ashtu sic është edhe e drejta e mospërkatësisë fetare si bindje. Aq më pak, margjinalizimii një pjese nuk mund të jetë zgjidhje në përputhje me konceptin e një shteti sipas modelit europian, në të cilin të gjithë qytetarët janë të barabartë në jetësimin dhe ndërtimin e shtetit.