Në qendër të thashethemnajës e përgojimit qëndron Hashim Thaçi si personaliteti më i rëndësishëm politik në Kosovë i dy dekadave të fundit. Është e kuptueshme që vetë roli protagonist e bën edhe cak shigjetash, sepse sikurse thotë në fizikë ligji i tretë i Njutonit: “Për çdo forcë ekziston gjithmonë një kundërveprim i barabartë me kah të kundërt”.

Prandaj prezenca e anti-thaçizmit si aksion politik në një epokë pluraliste është më se e natyrshme. Mirëpo ajo që është e çuditshme është dominimi i kësaj tendence në debatin publik gjë që dëshmon sterilitetin dhe varfërinë të debatit dhe mendimit politik në Kosovë.

Janë të shumtë individët e politikës, mediave, shoqërisë civile që kanë bërë karrierë e janë bërë të famshëm veç duke mbajtur flamurin e anti-thaçizmit. Këtyre po tua heqësh agresivitetin dhe kritikat e shumta të bëra ndaj Thaçit, vështirë se iu ngelet ndonjë kontribut apo rol tjetër në jetën publike për të cilin të meritojnë statusin që kanë sot në shoqëri. Tek disa flamurmbajtës të anti-thaçizmit aq e madhe është ngarkesa emocionale e obsesionit me këtë njeri sa manifestohen edhe çrregullimet psikologjike-psikiatrike të formës së psikozave kur flasin për të. Në kuadrin e këtyre sulmeve në media ky koalicion i të obsesionuarve anti-thaçistë, ta shesin si opinion atë që, në fakt, është emocion i tyre dhe ta shesin për analizë atë që në fakt është opinioni i tyre personal. Për më tepër ky lloj debati personal merr përmasa të zjarrta e të ngarkuara emocionale që e nxjerr krejt fare nga loja arsyen dhe logjikën e degradon madje në fyerje banale.

Kjo politika e mbështetur te personaliteti bën që i gjithë ligjërimi politik të reduktohet te karakteri si dhe veprimet apo mosveprimet e një personi të vetëm e mos të merret me fakte, bilance, projekte, ide apo reforma të realizuara apo të dështuara. Prandaj prania e fortë e anti-thaçizmit, demonstron se më shumë sesa interesi shtetëror dominon hatërmbetja, marazi, mëria, inati, zilia, xhelozia, lakmia personale apo forma të tjera të ngjashme kompleksesh. Për këtë arsye edhe debatet televizive që merren me komente të aktorëve politik gjithnjë e më shumë po iu ngjajnë thashethemeve të kafeneve. Diskutimi merr më shumë formën e përplasjeve mes tifozëve të skuadrave të ndryshme të futbollit ku polemika i lë vendin sharjeve e mungesa e mendimit kompensohet me diarre fjalësh bosh.

Idealja do ishte që të ishin idetë ato që do të dominonin debatin politik kosovar mirëpo me sa duket duhet ende kohë që të ndriçohet mentaliteti ynë. Nuk ka asgjë të keqe që të ketë kritika, dyshime e kërkesë llogarie mbi një lider politik, përkundrazi, është ky presion që bën të mundur garantimin e performancës së mirë. Porse në Kosovë përmasat e anti-thaçizmit janë anormale e kanë arritur dimensionet e një obsesioni kolektiv masiv që ka uzurpuar skenën politike në vend gjatë muajve të fundit që po diskutohet faza finale e dialogut me Serbinë. Duke u marrë gjithmonë me sulme ndaj Thaçit, largohet vëmendja nga debati parashtrues e përmbajtjesor. Për muaj me radhë e gjithë opozita në vend që të merret konkretisht me propozime, rekomandime, sugjerime për dialogun, u mor me sulme personale ndaj presidentit dhe vënie në pikëpyetje të së drejtës së tij kushtetuese për të udhëhequr politikën e jashtme në vend.

Debati publik sot është i dominuar nga sulmi kolektiv ndaj Thaçit prej opozitës i atyre përmasave që të rikthente kujtimin e krijimit të VLAN-it një ditë pas ditës së votimit kur pa u tharë boja nga gishtat e votuesve vullneti i kutisë së votimit u zëvendësua nga tavolina e bisedimeve mes partive të humbura. Asokohe obsesioni i anti-thaçizmit bëri bashkë një aleancë laramane partish që kishin garuar e sulmuar njëra tjetrën për vite me radhë duke i nxjerrë në pah se nuk kishin ndonjë orientim ideologjik përveç anti-thaçizmit. Edhe në partinë që dikur ka qenë pararojë në Kosovë për sa i përket nisjes së debatit ideologjik, Lëvizja Vetëvendosja, orientimi socialist zhduket sa herë që është në pyetje Hashim Thaçi. Obsesionimi personal ndaj Thaçit në 2014 bëri që Vetëvendosje të hiqte dorë nga parimet e pretenduara e të hiqte dorë nga vetëvendosja duke pranuar negociatat si dhe të pranonte të bashkëpunonte me ata që i kishte akuzuar si haraçexhinj, koka të korrupsionit, kolaboracionistë të Rrahman Morinës apo listë politike që është dorë e zgjatur të Beogradit. Fakti që Thaçi është në njëfarë mënyre ‘yll polar i orientimit’ të veprimeve të Vetëvendosjes e dëshmoi edhe çështja e gjykatës speciale. Kur u fut ne parlament për t’u votuar ata ishin ashpër kundër, mirëpo kur u afrua një mundësi për ta çaktivizuar gjykatën në dhjetorin e kaluar, VV e kundërshtoi veten dhe doli kundër kësaj nisme të OVL-së vetëm sepse mendonte që kjo gjë mund t’i leverdiste Thaçit.

Anti-thaçizmi është shndërruar në shtyllën kryesore ideologjike edhe të Lidhjes Demokratike, e cila nga një organizatë politike në suazat e idhujtarisë e orientuar pro një njeriu, Rugovës e rugovizmit është shndërruar në një parti që orientim kryesor manifeston sulmet ndaj Thaçit apo anti-thaçizmin. Gjatë gjithë këtij viti që diskutohet për fazën e dialogut nuk është dëgjuar ndonjëherë nga kjo parti ndonjë propozim, rekomandim, sugjerim e mos të flasim për platformë apo vizion konkret për përmbajtjen që do duhej të kishte marrëveshja e paqes me Serbinë, por vetëm janë marrë me presidentin. Gjithë ajo parti që krenohet me kuadrot e shkolluar mësimdhënës nuk ka artikuluar qoftë edhe një ide substanciale për modalitetin e negociatave apo rezultatin e dëshiruar ku duhet të çojnë ato, por vetëm është marrë me sfidimin e rolit të presidentit që ata vetë e kanë zgjedhur.

Aktualisht ekziston një kontekst politik ndërkombëtar i favorshëm por shumë delikat e relativisht i përkohshëm që mund të sigurojë mbylljen e konfliktit me Serbinë dhe çimentimin e subjektivitetit ndërkombëtar shtetëror të Kosovës. Ekziston një presion ndërkombëtar nga Bashkimi Europian dhe SHBA-të për ta shtyrë përpara e finalizuar sa më shpejt një marrëveshje të plotë juridikisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Nga njëra anë Bashkimit Europian po i afrohen zgjedhjet e Parlamentit Europian dhe gjasat janë që me forcimin e partive populiste të viteve të fundit, në vitin e ardhshëm të kemi një Bashkim Europian ndryshe. Këto parti populiste jo-konvencionale e jo-tradicionale kanë marrë pushtetin në disa shtete të BE e po i afrohen qeverisjes në shumë të tjera çka do të thotë se qëndrimet e tyre izolacioniste, anti-zgjerim, anti-imigrant e islamofobe kanë për t’u bërë pjesë e politikës qendrore të BE-së. Kjo do të thotë se Bashkimi Europian i ardhshëm sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë vullneti për t’u marrë me Ballkanin sikurse e ka sot. Po ashtu edhe në Serbi nuk e dimë deri kur do të kemi një lider si Vuçiç që ka aq shumë pushtet të përqendruar sa është i gatshëm të shtyj përpara një proces që nuk është popullor në vendin e tij

Mirëpo aq i fortë është sentimenti anti-thaçist sa kundërshtarët politik, për hir të marazit të papërmbajtshëm janë të gatshëm t’ia humbasin Kosovës këtë rrethanë historike vetëm për inatin e tij ose që të veprojnë në përputhje me fjalën e urtë popullore, për inat të vjehrrës më vdektë burri. Ky qëndrim absurd anti-person mund të rrezikojë që ta përsërisë vitin 2014 kur opozita atëhershme e la Kosovën pa ushtri prej inatit kundër Thaçit. Duke mos dashur që meritat e formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës t’i merrte Thaçi, LDK dhe VV refuzuan që të votonin vazhdimin e vendeve të rezervuara për një mandat më shumë gjë që ishte kushti i partive politike parlamentare të pakicës serbe për të votuar në këmbim formimin e ushtrisë. Përfaqësia politike në parlament në zgjedhjet që pasuan ndryshoi tërësisht me përfshirjen e veriut në zgjedhje dhe krijimin e Listës Serbe dhe krejt ndryshe nga përfaqësia politike e mëhershme, Lista u deklarua ashpër kundër ushtrisë së Kosovës. Pra, për shkak të anti-thaçizmit Kosova ngeli pa ushtri dhe gjasat janë që për të njëjtën arsye të ngelet pa një marrëveshje të njohjes që aq shumë nevojitet nga Kosova.

Dominimi i anti-thaçizmit në diskursin politik në Kosovë nuk është shqetësues vetëm për cenimin e interesave shtetërore dhe humbjen e mundësive historike për vendin sikurse ndodhi me ushtrinë, por edhe për shëndetin e demokracisë në vend. Mungesa e debatit ideologjik, e përballjes së këndvështrimeve dhe e paraqitjes së alternativave programore lë të kuptohet se jemi ende duke përjetuar një situatë para-politike apo para-moderne. Për sa kohë politika përqendrohet tek personalitetet e jo tek idetë e ideologjitë ne kemi votues që thjeshtë votojnë se kush do të jetë timonieri, por jo se cili do të jetë drejtimi që duhet të marrë vendi. Prandaj fakti që në Kosovë mbizotëron debati mbi personalitetin pra mbi liderët politik që garojnë apo që luajnë një rol kyç në jetën publike dëshmon për një stad të ulët zhvillimor të jetës politike. Ndryshe nga politika e bazuar mbi çështje, politika e bazuar mbi personalitetin merret me përbaltje e jo përmbajtje, merret me sulme personale e jo me rrahje idesh, merret me mesazhierin e jo me mesazhit, përqendrohet tek denigrimi i individit e jo tek kundër argumentimi ndaj propozimeve të shprehura. Një mjedis politik të bazuar tek personalitetet debati dominohet më shumë nga psikanaliza e individit pra nga elemente të karakterit, personalitetit, sjelljet, tiparet fizike, biografia, familja, temperamenti apo veçoritë tij të tjera psikike. Ndërkohë që neglizhohet debati mbi temat konkrete, mbi ideologjitë, institucionet, proceset, ligjet apo reformat. Për rrjedhojë debati politik ka tendenca destruktive se synon denigrimin e kundërshtarin ndërkohë që do të duhej të ishte konstruktiv në formën e ballafaqimit të alternativave politike. Pra në vend që të merret me standarde e performanca institucionale përqendrohet tek sulmi ndaj një individi si mishërimi i së keqes.

Idealja për një demokraci të konsoliduar është politika e bazuar në çështje vendos në plan të parë vlerat, idetë, parimet, propozimet, reformat, politikat konkrete apo vizionin për të ardhmen. Kjo lloj politike përqendrohet mbi çështjet që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të një vendi dhe ofron zgjidhje që i adresojnë ato. Në rastin e Kosovës politika përmbajtjesore e bazuar mbi çështjet do të duhej të merrej me çështjet që prekin më shumë qytetarin e Kosovës sikurse janë subjektiviteti ndërkombëtar i vendit, varfëria, papunësia, garantimi i një gjyqësori efikas dhe sundimit të ligjit, qasja në shërbime cilësore publike si arsimi e shëndetësia, nevoja për strehim apo infrastruktura e prapambetur. Shpesh shumë prej këtyre çështjeve mund të trajtohen në nivel të pushtetit vendor në Kosovë duke patur parasysh nivelin e lartë të decentralizimit, mirëpo fatkeqësisht edhe përfaqësuesit e pushtetit vendor në më të shumtën e rasteve merren me përplasjet personale të nivelit qendror.

Kuptohet që roli i individit në politikë është shumë i rëndësishëm e shpesh vendimtar, mjafton të shikohet roli që ka kandidati për kryeministër në Britani apo kandidati për president në SHBA për të kuptuar sa i fortë është dimensioni i personalizimit të politikës. Mirëpo kur shkohet në ekstrem dhe gjithë politika përqendrohet tek roli i individit, i bie të neglizhohen shumë aktorë, faktorë e rrethana që po ashtu luajnë rol kyç. Po ashtu duhet kuptuar që në këto dy demokracitë më të vjetra të Evropës, nuk bëhet thjesht fjalë për individë karizmatikë por individë me ide e propozime konkrete. Britanikët dhe amerikanët besojnë thjesht te njerëz të caktuar të famshëm por tek njerëz që besojnë e propozojnë ide të caktuara. Historia moderne e botës së zhvilluar tregon se idetë për t’u materializuar kërkojnë idealistë karizmatikë që i shtyjnë përpara këto ide. Këta individë me retorikën që përdorin, programet që shpalosin, qëndrimet që mbajnë faktikisht shndërrohen në mishërimi i disa ideve që pa ta do konsideroheshin thjeshtë si ide abstrakte. Pra, bëhet fjalë për politikanë që janë të lidhur ngushtë me grupe të qarta idesh duke u ofruar në paketë si ofertë për ata që përkrahin këto ide.

Fatkeqësisht shqiptarët kudo që jetojnë nuk kanë pasur përvoja të demokracisë dhe në memorien kolektive njohin ose padishahun e portës së lartë ose udhëheqësin komunist të lavdishëm të tipit Enver Hoxha apo Marshall Tito. Brenda perandorisë Osmane, me përjashtim të dy periudhave të shkurtra të monarkisë kushtetuese dhe mbledhjes së asamblesë së përgjithshme përfaqësuese në 1876-78 dhe 1908 deri në luftërat ballkanike, shqiptarët nuk kanë pasur asnjë përjetim në të kaluarën të ndonjë forme qoftë rudimentare të demokracisë. Për hir të së vërtetës kjo mënyrë e të konceptuarit të jetës si një hierarki me në krye një individ drejtues shkon përshtat edhe me traditën tonë patriarkale ku fjala e babait apo të parit të familjes kishte peshën e ligjit. Në Kosovë mungesa e përvojës së kaluar të demokracisë dhe përqendrimi i tejskajshëm tek problemi kombëtar, pra tek sfida post koloniale, ka lënë pak hapësirë që të eci përpara edhe tranzicioni paralel post-komunist. Për rrjedhojë në kulturën politike në Kosovë ende nuk ka zënë vendin që meriton të kuptuarit të institucioneve e proceseve por vazhdon të dominojë vëmendja sjelljes e vullnetit të liderit. Kjo bën që shumë qytetarë të kenë pritshmëri të ekzagjeruara dhe për rrjedhojë iluzione të tepruara ndaj udhëheqësve.

Në demokraci vendim-marrja është shumë më e komplikuar, është e decentralizuar dhe shpërndarë në shumë aktorë dhe institucione, përfshihen shumë hallka shtetërore e më shumë sesa thjesht vullneti i një personi faktikisht nevojitet konsensus e bashkëveprim i shumë palëve.

Kjo e kaluar komuniste bie në sy shpesh në formën e manifestimit të anti-thaçizmit në Kosovë. Sulmet që i bëhen atij nxjerrin dendur tipare karakteristike dhe stilema të leksikut të sulmeve të kohës së komunizmit totalitar kur kundërshtari politik apo ideologjik jo vetëm që sulmohej për bindjet dhe qëndrimet por denigrohej personalisht tërësisht në të gjitha aspektet. Në totalitarizëm kundërshtari asgjësohej plotësisht e jo vetëm ai por i nëpërkëmbej e persekutohej edhe familja e i mohohej çdo vepër apo tipar të mirë që mund të kishte pasur viktima.

Është interesante se si ngjashëm me këto nuancat e Kosovës sot, ka qenë edhe debati dominues politik në Shqipëri 15 vjet më përpara kur përqendrohej tek melodrama e dy personave, Nanos dhe Berishës. Krahët politik fokusoheshin tek demonizimi apo glorifikimi i këtyre dy personave duke krijuar iluzionin se fitorja e njërit apo humbja e tjetrit do të shërbenin si panace për të kuruar të gjitha problemet e Shqipërisë së mjerë. Në mënyrë të veçantë Partia Socialiste e Republikës së Shqipërisë ka qenë e dominuar nga anti-berishizmi në ligjërimin e saj politik e nuk ka pasur orientim të qartë ideologjik madje përtej sulmeve ndaj Berishë, duke si fotokopje e Partisë Demokratike në veprime e qëndrime. Të dy këto figura e lanë podiumin e protagonizmit të politikës shqiptare dhe shteti shqiptar ende vuan nga të njëjtat probleme therëse si varfëria, papunësia, krimi, korrupsioni e shërbimet publike tejet të prapambetura.

Në fund të fundit nuk kishte si të ndodhte ndryshe, jeta e njeriut , për të përdorur fjalët e Hobsit, është e vetmuar, e varfër, e ligë, e vrazhdë dhe e shkurtër dhe njerëzit do të vazhdojnë që në gjendje natyrore të kenë tipare egocentrike, grabitqare e përfituese dhe vetëm shteti i së drejtës me institucionet e tij demokratike mund të sjellin mirëqenien e shoqërisë. Është iluzion tashmë i tejkaluar i shoqërisë pritja gati-fetare për një lider shenjtor i stilit të “Shën Gjergjit që do vrasi kuçedrën e së keqes. Shoqëri të shumta anembanë globit, për qindra vite kanë pasur këtë iluzion mesianik se për të pasur përmirësim të jetës e për t’i dhënë fund padrejtësive duhej pritur një i dërguar i ndriçuar pra një version i Mesias që në kultura të tjera quhej Mahdi, Maitreja, Kalki, Li Hong apo Saoshiant. Mirëpo përvoja, historia e njerëzimit, ka dëshmuar e provuar tashmë në mënyrë bindëse se begatia shoqërisë i vjen nga ndërtimit i institucioneve liberal-demokratike dhe nga promovimi i vlerave specifike njerëzore si toleranca, dialogu apo solidariteti. Duke u fokusuar kaq shumë tek liderët ne humbasim panoramën e plotë të realitetit dhe neglizhojmë vlerat dhe idetë. Vlerat janë të përjetshme dhe asnjëherë nuk të zhgënjejnë sikurse ndodh shpesh me qeniet njerëzore që prej natyrës së tyre janë të papërsosura dhe në mënyrë të pashmangshme bëjnë edhe gabime.

Së fundmi kjo politikë e bazuar tek figurat politike e jo te çështjet është e dëmshme jo vetëm për institucionet, për debatin politik dhe për procesin e politikë-bërjes por edhe për vetë politikanët. Për sa kohë gara bëhet se kush sulmon, shpif, nxin apo njollos kundërshtarin të gjithë politikanët damkosen dhe gradualisht në sytë e qytetarit të gjithë duken të përlyer dhe shoqëria gradualisht heq besimin se politika mund të sjelli një zgjidhje për problemet e tyre. Humbja e madhe e mosbesimit në politikë të publikut që po demonstrohet nga anketat shkaktohet në një pjesë të madhe pikërisht nga kjo qasja personale negative ku duket përbaltur njëri tjetrin asnjë politikan nuk duket i pastër për qytetarët. Kjo qasje negativiste e sulmeve personale sjell apati politike, dorëzim, deri në braktisje të vendit prej dëshpërimit. Po ashtu kjo lloj loje e ndyrë e sulmeve personale poshtë brezit e jo e rrahjes së ideve e bindjeve, dekurajon e mban larg çfarëdo personaliteti publik të ndershëm që do mund të kontribuonte në vend duke u futur në politik. Të futesh në ring politik me këto përleshje pa rregulla loje e bën shumë të vështirë hyrjen dhe freskimin e elitës politike me gjak të ri të pastër të figurave të reja.