ANP: S’ka fluturime shtesë këtë javë

Në protestën e paralajmëruar nga opozita për ditën e mërkurë nuk do të vijnë të organizuar diaspora shqiptare.

Lajme

02/02/2015 19:50

Një lajm i cili qarkullonte nëpër media se rreth 20 aeroplanë nga vende të ndryshme të Evropës do të bartin shqiptarë nga diaspora për të përkrahur protestën e opozitës, është demantuar nga vet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

“Nuk ka asnjë fluturim shtesë në ditët në vijim nga ato të cilat janë planifikuar më herët”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, duke demantuar kështu lajmin që i pari e kishte postuar portali Presheva jonë, e që thirrej në burime brenda disa organizatave të shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës.

Protesta e paralajmëruar për të mërkurën, që organizohet nga partitë opozitare, ka dy kërkesa, atë të shkarkimit të ministrit Aleksandar Jabllanoviq dhe kthimin e kombinatit Trepça në pronësi të shtetit të Kosovës.

Për këto dy çështje deri më tani janë mbajtur edhe dy protesta, të cilat kanë eksaluar në dhunë. (Lajmi.net).