Anonymous hakeron ISIS-in

“ISIS, ne do të ju gjejmë, do t’i marrim faqet tuaja, llogaritë, email adresat dhe do të ju demaskojmë juve”, thuhet në deklaratën e grupit të hakerëve.

Auto & Tek

10/02/2015 14:12

Anonymous ka sulmuar shumë llogari në rrjete sociale të personave që janë të lidhur me ISIS, duke i paralajmëruar mbështetësit e tyre: “Ne do të ju gjejmë dhe do të ju demaskojmë”.

Ky mesazh i grupit të hakerëve vjen pasi që grupi i shpalli luftë webfaqeve xhihadiste dhe rrjeteve sociale në përgjigje të masakrës ndaj Charlie Hebdo në janar, transmeton Lajmi.net.

Grupi pretendon se ka sulmuar shumë llogari në Twitter dhe Facebook të përdorur nga personat që janë përkrahës të ISIS.

ISIS ka përdorur vazhdimisht rrjetet sociale dhe internetin si një kanal për shpërndarjen e propagandës – duke ngarkuar video të ndryshme brutale të pengjeve duke u vrarë – dhe si një mjet për radikalizimin dhe rekrutimin e anëtarëve të rinj.

Në videon e postuar nga grupi shpjegohet se “Operacioni ISIS” është duke vazhduar, me një mesazh përcjellës ku thuhet: “Ne jemi myslimanë, të krishterë, hebrenj. Ne jemi hakerë, haktivistë, agjentë, spiunë”.