Ankohen pronarët e kompanive private, migrojnë edhe të punësuarit me 450 euro rrogë

Migrimi masiv i qytetarëve nga Kosova, përveç aspektit sentimental, po u shkakton probleme edhe kompanive publike dhe private.  Shumica e migrantëve ishin të papunë, por ka edhe  prej atyre që ishin të punësuar, por e lanë punën në vendlindje në kërkim të mundësive të reja diku tjetër, për një jete më të mirë. 

Lajme

05/02/2015 15:19

Përfaqësues të bizneseve që i ka intervistuar lajmi.net, pohojnë se largimi i punëtorëve të tyre po u shkakton probleme në punë. Sipas tyre, punëtorët që kanë migruar nuk zëvendësohen lehtë, pasi kanë qenë të specializuar për punën qe e kanë bërë.

Agon Gashi pronarë i kompanisë “Meridian”, ka thënë se migrimi ilegal i qytetarëve ka prekur edhe kompaninë e tij.

Ai për lajmi.net ka thënë se brenda gjashtë muajve të fundit punën ia kanë lënë afër 20 punëtorë.

“Edhe kompania jonë si të gjitha kompanitë tjera është prekur nga vala e migrimit të qytetarëve dhe është shqetësueses”.

“Kryesisht janë larguar punëtor të cilët kanë pasur rrogën mbi mesataren e rrogës në Kosovë. Arsyet janë kërkesa për një jetë më të mirë. Numri i atyre që kanë lënë punën është afër 20”, është shprehur ai.

Me lënien e punës nga ana e punëtorëve është përballur edhe kafiteria “MATISSE” në Prishtinë. Pronari i saj, Genc Gashi, tha për lajmi.net se punëtorët e larguar kanë pasur paga nga 300 deri në 450 euro.

Ai për lajmi.net shprehet se të gjithë punëtorët kanë thënë se po largohen në kërkim të një jetë më të mirë. “Diku rreth 10 punëtorë janë larguar brenda këtyre gjashtë muajve, disa prej të cilëve kanë marrë pagën nga 300 deri në 450 euro, që është mbi mesataren në Kosovë”.

“Secili prej tyre që e ka lëshuar punën  është shprehur se dëshiron të dalë jashtë Kosove për të kërkuar një jetë më të mirë. Por, për t’i zëvendësuar nuk është edhe aq lehtë, pasi duhet për të gjetur njerëz profesional dhe të arsyeshëm për punë”, ka thënë Gashi.

Ndryshe vala e migrimit ilegal të qytetarëve në muajt e parë të këtij viti është rritur dukshëm. Vetëm gjatë muajit janar sipas të dhënave të ambasadës së Hungarisë në Prishtinë , janë regjistruar mbi 20 mijë emigrant kosovarë. Të paktën kaq janë larguar edhe në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, por që ikjen e tyre e la “nën hije” i ashtuquajturi “ngërç politik”. /lajmi.net/