Anketa e bizneseve flet për përkeqësim të situatës së tyre

Përqindja e bizneseve që e konsiderojnë situatën aktuale ekonomike në vend të pakënaqshme ka shënuar rritje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, u tha sot në Odën Ekonomike të Kosovës, por pritjet janë se deri në fund të vitit do të ketë përmirësime.

Lajme

16/06/2014 18:27

Studimi i fundit tregon se situata e bizneseve kosovare është përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2014. Rënia është theksuar te të gjithë sektorët, por situatë më e përkeqësuar vërehet te tregtia me pakicë dhe ajo me shumicë.

Megjithëkëtë, pritjet për të ardhmen janë optimiste. “Rreth 60 për qind e bizneseve presin që punësimi të mbetet i njëjtë. Derisa 37 për qind e bizneseve presin që punësimi të rritet në tre muajt e ardhshëm”, thuhet në indikatorin matës të bizneseve, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu thekson se për krijimin e vendeve të reja të punës duhet të bëhet më shumë. Sipas tij, 60 për qind e bizneseve të anketuara presin dhe shpresojnë të ketë përmirësim të kësaj situate.

“Shumë prej bizneseve të anketuara mendojnë se do të largohet ndikimi dhe agjenda politike dhe do të jemi të orientuar drejt ekonomisë dhe e tërë kjo bën që 37 për qind e bizneseve presin që punësimi të rritet në muajt e ardhshëm dhe kjo bazohet edhe në premtimet e dhëna në kampanjën zgjedhore dhe para zgjedhore, e cila rrit në një formë optimizmin për një trend që do të jetë më pozitiv”.

Edhe në këtë anketë si pengesë kryesore për zhvillimin e biznesit ceket mungesa e financave, vështirësitë në marrjen e kredive, normat e larta të interesit, si dhe moskryerja e pagesave me kohë ndërmjet bizneseve.

Sipas Gërxhaliut, është e pamundur të kemi kredi të lira pa sundim të rendit dhe ligjit, dhe është e pamundur që të kemi ulje të borxheve mes bizneseve pa sundim të rendit dhe ligjit.

Në anën tjetër, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Kiesler ka theksuar se për zhvillimin dhe stabilitetin e një shteti një ekonomi e qëndrueshme është më se e domosdoshme.

“Fushata parazgjedhore në Kosovë këtë herë ka qenë shumë e përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe kjo është një shenjë e mirë pasi që të gjithë partitë politike e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është ekonomia për zhvillimin e një vendi. Kushdo qoftë që e bën qeverinë e ardhshme, është shumë më rëndësi që idetë dhe qasjet që i kanë pasur gjatë fushatës zgjedhore të mund t’i zbatojnë në një masë më të madhe, pasi që vetëm në këtë mënyrë është e mundur të tërhiqen investimet”, thekson Kiesler.

Në përputhje me pritjet për përmirësim, bizneset kanë pritje më optimiste për gjashtëmujorin e ardhshëm: rreth 60 për qind e tyre presin që situata e biznesit të përmirësohet, derisa 11 për qind e bizneseve të anketuara presin përkeqësim të situatës.