Ankesa për diskriminim të notares kosovare në përfaqësim jashtë vendit

Një vajzë e re nga Kosova me rezultate të larta në nivel vendi në fushën e notit u përballë me demotivime nga ana e udhëheqësisë së këtij sporti në Kosovë.

Lajme

07/06/2018 20:27

Lidhur me këtë notare, pretendohet se pati  padrejtësi në selektime për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare të notit.

Luigj Imeri, babai i Sara Imerit në debat në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se vajza e tij nuk ishte përzgjedhur për gara ndërkombëtare megjithëse kishte pasur rezultatet më të mira në vend.

“Për kampionate botërore, evropiane dhe ballkanike nuk mund të marrësh pjesë nëse nuk akreditohesh nga federata. Federata e cakton notuesin që duhet të marrë pjesë. Diskriminim ka pasur që kur ka filluar më 2015 Baku, pastaj rrjedh Londra , pastaj Kanada dhe së fundmi. Misioni është që të mos ta lënë të merr pjesë nëpër gara”, tha Imeri.

Këto pretendime i konfirmoi ish-selektori i Federatës së Notit në Kosovë, Enver Hajredini i cili thotë se selektimet janë bërë nga sekretari me urdhër të Kryetarit të FNK-së.

“Edhe ka ngjarë që përcaktimi i notarëve nuk ka qenë nga ana ime kur edhe kam dhënë deklaratën me shkrim. I ka përzgjedhë sekretari me ‘Kryetari ka thënë’ dhe unë kam thënë ndalu se mos  po bojmë gabime. Nga viti 2015 kanë filluar këto ndarje dhe këto të këqija në federatën e notit”, tha Hajredini.

Në anën tjetër, përballë Jeta Xharrës, sekretari i kësaj federate, Astrit Haliti e mohoi se përzgjedhja për përfaqësim jashtë vendit të notarëve kosovarë ishte diskriminuese.

“ Nuk ndodh kjo që shkon më tutje notuesi që i ka rezultatet më të dobëta para notuesit që i ka rezultatet më të mira”, tha Haliti./Kallxo.com