Anglia ushtron penalltitë

Dështimet e shpeshta në të kaluarën, kanë bërë që Anglia të ushtrojë penalltitë para Kampionatit botëror në Brazil. Kapiteni Steven Gerrard ka treguar se skuadra ka praktikuar goditjet nga pika e bardhë.

Sport

04/06/2014 12:22

Kapiteni i Anglisë, Steven Gerrard ka bërë të ditur se ekipi ka ushtruar “shumë” penalltitë, por insiston se nuk do të ndjenjë ngarkesë shtesë nga mundësia e përcaktimit të fatit të tyre nga pika e bardhë.

Në dhjetë garat e fundit të rëndësishme të Anglisë, gjashtë kanë përfunduar me penallti. Gerrard e humbi një goditje nga njëmbëdhjetëmetërshi në çerekfinale të Kampionatit botëror 2006 kundër Portugalisë, por shënoi kundër Italisë në Euro 2012.

“E kuptoj fiksimin sepse kemi dështuar disa herë, por nuk mendoj se duhet të ngarkohemi me to”, deklaroi Gerrard për BBC Radio 5 Live.

“Ne jemi duke ushtruar shumë në penallti, por është situatë e vështirë për ta përshkruar me fjalë. Ekziston presion i madh. Penalltitë që përcaktojnë fituesin sjellin presion më të madh se një penallti në një ndeshje të ligës”, u shpreh ai.