Angela Merkel e bindur në suksesin e negociatave për koalicionin qeveritar

Në rast të përfundimit me sukses të negociatave dhe harmonizimit të qëndrimeve për temat kryesore, krerët e partive do të negociojnë për përmbajtjen konkrete të programit të qeverisë së ardhshme

Bota

16/11/2017 16:10

 Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu bindjen se me sukses do të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së koalicionit mes bllokut në pushtet CDU/CSU, me Partinë e Lirë Demokratike (FDP) dhe Partinë e të Gjelbërve, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtuesja e Unionit Kristian-Demokrat (CDU), Merkel, në prag të takimit të sotëm me partnerët potencial të ashtuquajtur “Koalicioni i Xhamajkës” në Berlin tha se pjesëmarrësit në negociata kanë kuptuar se mes partive megjithatë ekzistojnë dallime të mëdha në qëndrime, ndonëse shpesh herë duket sikur ato dallime edhe nuk janë.

Duke theksuar se të gjitha partitë dëshirojnë të ruajnë identitetin e tyre në programin e Qeverisë, Merkel tha se ky është faktor i rëndësishëm për negociatat. “Ekziston vullneti për arritjen e marrëveshjes dhe në këtë kontekst kemi përgjegjësi dhe personalisht do të jap kontribut në këtë proces. Jam e bindur se negociatat do të jenë të suksesshme”, theksoi Merkel, duke shtuar se kjo do të ishte sukses i madh për Gjermaninë në periudhën e polarizimit të fortë aktual në skenën politike.