Angazhim i institucioneve dhe organeve të zbatimit të ligjit për përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizim të vizave

Pas miratimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, izolimit të qytetarëve të Kosovës do t’i vije fundi me plotësimin e kushtit të fundit për liberalizim, atij të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Lajme

22/03/2018 14:57

Për të siguruar efikasitet edhe më të lartë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, ministri Tahiri, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryeprokurori i Shtetit, si dhe Kryeprokurorët e Prokurorive Themelore si dhe Kryetarët e Gjykatave Themelore, mbajtën një takim të përbashkët për të shprehur angazhimin ndër-institucional në përmbushjen e plotë të kushtit për lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda zonës Shengen.

Në një status në rrjetin social Facebook, ministri Tahiri ka sqaruar se angazhimi i përbashkët nuk do të mungoj në asnjë rast dhe për asnjë arsye.

“Pas përmbylljes së temës më të përfolur gjatë viteve të fundit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Demarkacionit me Malin e Zi, përgjegjësia për lëvizjen e lirë të qytetarëve bie mbi institucionet e sistemit të drejtësisë. Të vetëdijshëm se sundimi i ligjit si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë përgjegjësi shtetërore dhe institucionale si dhe kusht për liberalizimin e vizave, së bashku me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë, dërguam mesazh të fuqishëm se angazhimi ynë i përbashkët në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që kemi, nuk do mungojë për asnjë rast dhe për asnjë arsye” ka shkruar Tahiri. Për ministrin Tahiri, është e rëndësishme që krimi i organizuar dhe korrupsioni mos të mbajnë peng perspektivën evropiane të qytetarëve të Kosovës. “Ky angazhim yni i përbashkët, do mundësojë shkëputjen përfundimtare të perceptimeve për mos efikasitet në luftën kundër këtyre dukurive dhe në këtë përpjekje, për aq sa kam mandat kushtetues dhe ligjor, unë do jap maksimumin tim si ministër i Drejtësisë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk do ta mbajnë peng perspektiven tonë evropiane dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka përfunduar Tahiri.