Anëtari i trupit gjykues në pushim, dështon gjykimi ndaj ministrit Valdrin Lluka

Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vehbi Kashtanjeva, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili akuzohet për konflikt të interesit.

Lajme

19/06/2018 10:24

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, ka thënë se kolegu i tij Kashtanjeva mungon për shkak se gjendet në pushim vjetor.

Të pranishëm në këtë seancë, kanë qenë i akuzuari Lluka me avokatin e tij, Artan Qerkini, si dhe e akuzuara tjetër në këtë rast, Eliana Naka me mbrojtësen e saj, Teuta Zhinipotoku.

Seanca e radhës është caktuar për 20 korrik, nga ora 8:30.

Ndryshe, gjykimi ndaj ministrit Lluka, disa herë ka dështuar të mbahet për arsye të ndryshme.

Për shkak të mungesës së të akuzuarës Naka, më 18 tetor 2017 dhe më 12 dhjetor 2017, kishin dështuar të mbaheshin seancat në këtë rast. Për të njëjtën arsye, kishte dështuar të mbahej edhe seanca e paraparë për 25 janar të këtij viti.

Seanca e vetme që kishte arritur të mbahet ishte ajo më 28 dhjetor të vitit të kaluar, e në të cilën, ministri Lluka ishte deklaruar i pafajshëm për konflikt të interesit.

Në këtë seancë, e pafajshme ishte deklaruar edhe Eliana Naka.

Valdrin Lluka, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për Organizatën Jo-Qeveritare (OJQ) “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.

Ndërkaq, sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eliana Naka, me 2 qershor 2014, kishte marrë vendim që mjetet prej 20 mijë eurove, t’i ndahen si mbështetje financiare OJQ-së “Jakov Inovation Center”, ku kishte qenë drejtoreshë e Bordit, raporton betimiperdrejtesi.com.

Hudhja e kësaj aktakuze ishte kërkesa e mbrojtësve të Llukës dhe Nakës, e parashtruar në seancën e shqyrtimit të dytë, të mbajtur më 3 mars të vitit të kaluar. Avokati Artan Çerkini dhe avokatja Teuta Zhinipotoku, kishin kundërshtuar provat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke thënë se akuza është e pabazuar në prova.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 mars 2017, kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat e avokatëve mbrojtës për hudhjen e aktakuzës.

Ndaj këtij vendimi, avokatët mbrojtës kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mirëpo, edhe Gjykata e Apelit i kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të Valdrin Llukës dhe Eljana Nakës, të paraqitura kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishin refuzuar kundërshtimet e aktakuzës.