Anelka zgjodhi Islamin para Atleticos

Atletico Mineiro nuk do të transferojë sulmuesin Nicolas Anelka. Ylli francez u vonua për t’u paraqitur me kohë në klubin brazilian pasi udhëtoi drejt Kuvajtit për të marrë pjesë në një konferencë Islamike.

Sport

16/04/2014 12:51

Klubi brazilian Atletico Mineiro ka njoftuar se nuk do të transferojë sulmuesin e përjashtuar nga West Bromwich Albion, Nicolas Anelka, sepse futbollisti mori kohë të gjatë për t’u paraqitur në klub.

Drejtori i Atleticos, Eduardo Maluf kishte pritur ardhjen e Anelkas në klub të hënën, por është njoftuar nga menaxheri i francezit se sulmuesi nuk do të mbërrijë në Brazil deri në fund të javës.

Anelka u fotografua në Kuvajt të martën në një ngjarje të organizuar nga Ministria e e Religjionit dhe Qështjeve Islamike e Kuvajtit, gjatë një konference për të rinjtë.

Por, klubi brazilian duket se ka humbur durimin me ish reprezentuesin francez.

“Ai kishte për obligim të na njoftonte për këtë, paraprakisht. Atletico është klub më i madh se kaq, marrëveshja është anuluar”, deklaroi Maluf. Anelkas tani i mbetet të kërkojë një skuadër tjetër.