Ancelotti: Reali mund ta shkruaj historinë

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se skuadra e tij mund ta shkruajë historinë në Ligën e Kampionëve, duke e fituar këtë garë për të dytën herë radhazi.

Sport

15/09/2014 12:14

Që nga viti 1990, kur emri dhe formati i kësaj gare është ndryshuar, asnjë skuadër nuk ka arritur ta fitojë trofeun dy herë radhazi.

Sidoqoftë, Ancelotti është i bindur se skuadra e tij e ka kapacitetin e duhur që të arrijë një gjë të tillë.

“Statistikat thonë se ne nuk jemi favorit pasi asnjë skuadër nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë radhazi”.

“Sidoqoftë, ne mund ta përsërisim suksesin e sezonit të kaluar. Do të ishte një gjë e shkëlqyer. La Decima ishte ëndërr për secilin fans të Real Madridit. Titulli i 11-të do të ishte ëndërr e të gjitha ëndrrave”.

“Chelsea është skuadra që është përmirësuar më shumë gjatë kësaj vere. Ata kanë transferuar fenomenin i cili është Diego Costa, duke mos harruar edhe lojtarët si Cesc Fabregas, Filipe Luis dhe Thibaut Courtois. Ata janë përmirësuar shumë”.

“Bayern Munich, mbetet i fortë ashtu siç ishte edhe në sezonin e kaluar”, tha Ancelotti për Corriere dello Sport.