Ancelotti: Reali e meritoi trofeun

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka thënë se ekipi i tij e meritoi trofeun e Ligës së Kampionëve. Ai pranon se Los Blancos u desh të luftonin, të vuanin, por në fund e morën shpërblimin e madh.

Sport

25/05/2014 01:31

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti deklaroi se skuadra e tij e meritoi trofeun e Ligës së Kampionëve.

Los Blancos mposhtën në finale Atletico Madridin me rezultat të thellë 4:1, por vetëm pasi barazuan rezultatin në minutën e 93-të, duke siguruar vazhdimet, ku shënuan edhe tri herë të tjera, për triumfin përfundimtar.

“Me vuajtje, por e kemi merituar”, deklaroi Ancelotti pas ndeshjes. “Shënuam golin e barazimit në minutat shtesë. E shpëtuam ndeshjen duke e dërguar në vazhdime e pastaj gjithçka shkoi mirë”, shtoi strategu italian.

Ancelotti, i cili më herët gjatë sezonit të fundit udhëhoqi Realin drejt triumfit në Copa del Rey, u shpreh i gatshëm për festë.

“Jam i gatshëm për sheshin Cibeles. Jam i gatshëm për një natë pa gjumë”, u shpreh Ancelotti.