Ancelotti injoron Man Utd-in

Carlo Ancelotti nuk do të bëhet menaxher i ri i Manchester Unitedit. Trajneri i Real Madridit ka respekt për gjigantin anglez por nuk planifikon të largohet nga Santiago Bernabeu.

Sport

25/04/2014 18:48

Vazhdojnë refuzimet për Manchester Unitedin. Pas Jurgen Klopp, Jose Mourinho e Diego Simeone, edhe trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka mohuar spekulimet se mund të drejtojë gjigantin nga Old Trafford, pas shkarkimit të David Moyesit.

“Këtu jam i lumtur, e kam fatin të drejtoj një prej klubeve më të forta në botë”, deklaroi Ancelotti në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Osasunës në La Ligë.

“Kam respekt të madh për Manchester Unitedin edhe pse nuk më ka pëlqyer ajo që i ndodhi Moyesit”, shtoi ish trajneri i Juventusit e Milanit. “Por, vendi im është këtu”.

Real Madrid është ende në garë për titull të kampionit në La Ligë kurse ka epërsi 1:0 ndaj Bayern Munichut pas ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në Santiago Bernabeu.