Ancelotti i frustruar

Carlo Ancelotti nuk po mund ta kapërdijë assesi faktin se si ekipi i tij dështoi këtë sezon për ta fituar titullin në La Liga. Megjithatë, trajneri italian kërkon nga lojtarët e Real Madridit ta kenë vëmendjen tek finalja e Ligës së Kampionëve.

Sport

12/05/2014 00:42

Carlo Ancelotti e ka shprehur frustrimin e tij për humbjen e Real Madridit 2:0 nga Celta Vigo, e cila ia humbi të gjitha shpresat për titull të kampionit në La Liga.

Ekipi nga Santiago Bernabeu do t’i afrohej në vetëm dy pikë liderit Atletico Madrid dhe një pikë përpara Barcelonës përpara duelit direkt ndërmjet gjigantit katalunas dhe Los Colchoneros në Camp Nou fundjavën e ardhshme.

“Ne jemi të zhgënjyer që e humbëm La Ligan. Ky është kompeticioni i parë i sezonit që nuk do ta fitojmë dhe kt është një zhgënjim”, deklaroi trajneri italian në konferencë për shtyp.

“Na munguan disa lojtarë të rëndësishëm, kështu që nuk ishte e lehtë të përgatiteshim për këtë ndeshje. I morëm dy gola të lehtë, por u munduam të ktheheshim në lojë pas kësaj”.

“Nuk po e themi se nuk kemi luajtur mirë në ndeshjet e fundit, por nuk mendoj se e lamë anash La Ligan. E humbëm paksa intensitetin pas gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve dhe kjo na kushtoi rëndë”.

“Tash duhet të shikojmë tek e ardhmja dhe të përgatitemi për finale”, përfundoi Ancelotti. Reali do të luajë me Espanyolin në ndeshjen e fundit të sezonit, para finales së Championsit ndaj Atleticos, që do të luhet më 24 maj.