Ancelotti e Guardiola, dy ‘macet e zeza’

Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola janë dy ‘mace të zeza’ për Real Madridin dhe Bayern Munichun. Trajneri italian nuk ka humbur kurrë nga gjiganti bavarez, kurse trajneri spanjoll ishte ‘penicilin’ i gjigantit madrilen.

Sport

22/04/2014 01:18

Dueli ndërmjet Carlo Ancelottit dhe Pep Guardiolas, i pari kokë më kokë, do të jetë mjaft interesant.

Të dy, gjatë karrierës kishin beteja të shumta me Bayern Munichun dhe Real Madridin.

Dhe, të dy kanë dalë fitimtarë në të kaluarën. Dy ‘mace të zeza’ përballë njëri tjetrit. Pep ka qenë i pathyeshëm për ‘Los Blancos’, kurse Ancelotti një ‘tërmet’ për gjermanët.

Ancelotti nuk ka humbur kurrë kundër Bayernit në gjashtë përballjet me klubin gjerman, me një bilanc fantastik prej katër fitoresh e dy barazimesh.

Ndër të tjera, trajneri italian e kishte eliminuar gjigantin bavarez dy herë nga Liga e Kampionëve.

Ndërkohë, Guardiola ka humbur vetëm dy herë nga Real Madridi, në 15 përballjet që pati në katër sezonet sa e udhëhoqi Barcelonën.

Numrat e tij ndaj Merengues janë fantastikë: nëntë fitore, katër barazime e dy humbje.

Më shumë se kurrë më parë, Realit dhe Bayernit, rreziku kryesor iu vjen nga bankina.